Shifra rekord votimi para datës zyrtare të zgjedhjeve
Katër ditë para datës së zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, rreth 84 milionë amerikanë kanë hedhur votën, një shifër rekord që është e barazvlefshme me afro 62 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve në vitin 2016, që ishte 138.8 milion.
Amerikanët po votojnë herët për zgjedhjet presidenciale të së martës në shifra të pashembullta, si rezultat i bindjeve të forta pro ose kundër dy kandidatëve kryesorë dhe për t’iu shmangur turmave të mëdha të Ditës së zgjedhjeve në qendrat e votimit gjatë pandemisë. Rreth dy të tretat e votuesve të hershëm të Amerikës kanë postuar ose hedhur fletëvotimet e tyre në kuti të posaçme, dhe pjesa tjetër votuan personalisht në vendet e votimit në të gjithë vendin. Ekspertët thonë se pjesëmarrja e votuesve për garën midis republikanit Trump dhe rivalit të tij demokrat Biden mund të jetë përqindja më e lartë e elektoratit që nga viti 1908, kur ajo ishte 65%. Presidenti Trump dhe rivali i tij demokrat Biden i përqendruan përpjekjet e tyre të fushatës të enjten në shtetin juglindor të Floridas, të cilin presidenti e fitoi në vitin 2016. Në çdo zgjedhje që nga viti 1996, kandidati që ka fituar Floridën ka fituar presidencën. Fituesi atje merr 29 nga 270 votat elektorale të nevojshme për të siguruar fitoren e zgjedhjeve.Kandidatët për president në Shtetet e Bashkuara, po i përqendrojnë përpjekjet e tyre të fushatës të premten në katër shtete me rëndësi vendimtare. Presidenti Donald Trump do të bëjë fushatë në Miçigan, Minesota dhe Uiskonsin, ndërsa ish-nënpresidenti Joe Biden do të bëjë fushatë në Minesota, Uiskonsin dhe Ajova. Miçigani ka 16 vota elektorale, Minesota dhe Uiskonsin kanë nga 10, dhe Iova 6. Sipas një mesatareje të sondazheve kryesore të përpiluara nga faqja Real Clear Politics, kandidatët Biden dhe Trump kanë praktikisht të njëjtën mbështetje në Florida dhe Karolinën e Veriut, ndërsa presidenti është pas ish-nënpresidentit në Miçigan, Pensilvani dhe Uiskonsin.