Situatë e rënduar në Evropë nga koronavirusi
https://parstoday.ir/sq/news/world-i101335-situatë_e_rënduar_në_evropë_nga_koronavirusi
Kontinenti i Evropës është bërë epiqendra e re e pandemisë së koronavirusit, duke raportuar gjithsej mbi 12 milionë raste dhe 300 mijë viktima në këta 10 muaj e gjysmë.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Nëntor 07, 2020 16:33 Europe/Tirane
  • Situatë e rënduar në Evropë nga koronavirusi

Kontinenti i Evropës është bërë epiqendra e re e pandemisë së koronavirusit, duke raportuar gjithsej mbi 12 milionë raste dhe 300 mijë viktima në këta 10 muaj e gjysmë.

 Në Evropë është tejkaluar shifra e 300 mijë viktimave nga infeksioni i koronavirusit, teksa shtetet nga Rusia e deri tek Italia, kanë regjistruar rekorde ditore të të infektuarve.  Thuajse në gjithë kontinentin evropian janë rikthyer kufizimet në lëvizje për të frenuar pandeminë, edhe pse qeveritë po mundohen të gjejnë alternativa më pak të dëmshme për ekonominë.  Sipas Organizatës Botërore e Shëndetësisë, dy të tretat e viktimave i raportojnë Mbretëria e Bashkuar, Italia, Franca, Spanja dhe në Rusia.  Qyteti i Liverpulit në Angli po zbaton një program pilot duke testuar të 500 mijë banorët e vet për prezencë të kovidit-19, plan që qeveria do ta shtrijë në gjithë vendin nëse rezulton me sukses.  Veriperëndimi i Danimarkës ndërkaq është futur në karantinë si pasojë e zbulimit të një varianti të koronavirusit të bartur nga nuselalat, që dyshohet se nuk trajtohet nga vaksinat paraprake, dhe prandaj është vendosur të zhduket e gjithë popullata e këtyre gjitarëve në vend.  Rritja e shkallës së infektimit ka ndikuar në mbushjen e kapaciteteve spitalore.  Ministria e Shëndetësisë e Gjermanisë ka paralajmëruar se situata do bëhet e papërballueshme nëse realizohet skenari i dyfishimit të pacientëve në njësitë e kujdesit intensiv çdo 10 ditë.  Më shumë se 85 për qind e shtretërve në Francë janë të zënë me pacientë të infektuar.  Shumica e Italisë është rifutur në karantinë pasi viktimat e kovidit-19 kapën shifrën 445 brenda ditës, një rekord në këta 6 muaj dhe rikthim si në javët e pranverës.  Në zonat e kuqe, 16 milionë e gjysmë personave u është kërkuar të dalin nga shtëpia vetëm për punë, për arsye shëndetësore ose për blerjet më kryesore, në zonat portokalli mundësohet një qarkullim më i lirë i personave ndërsa në zonat e verdha, si Roma, kufizimet nisin nga ora 22.  Nga e shtuna, edhe Greqia po zbaton izolimin për tri javë, duke mbyllur bizneset e shitjeve me pakicë, përveç supermarketeve, farmacive dhe bankave, dhe duke i detyruar qytetarët të marrin leje nga shteti për të dalë nga banesat në orare të caktuara.  Qeveria maqedonase deklaron se treguesit e infeksionit në vend nuk e bëjnë të nevojshme vendosjen e karantinës, ndërsa në Kosovë, kjo masë do aplikohet për fundjavën deri ditën e hënë në 7 qytete, si Prishtina, Gjilani, Gjakova dhe Podujeva.  Në pjesën tjetër të botës, Amerika raportoi 127 mijë raste në 24 orë dhe mbi 1,100 viktima të tjera, duke e afruar në 10 milion bilancin e të infektuarve dhe mbi 230 mijë jetët e humbura nga koronavirusi.