Sfidat e vështira të Presidentit të zgjedhur Biden
Demokrati Joe Biden do ta marrë detyrën si presidenti i ardhshëm amerikan i një vendi që po përballet me një pandemi vdekjeprurëse, një ekonomi në vështirësi dhe një publik thellësisht të ndarë.
Biden, ish nënpresident dhe senator amerikan i shtetit Delauer, bëri fushatë me premtime për të zbatuar politika të gjera, por pragmatike në fushën e kujdesit të përballueshëm shëndetësor dhe arsimit, për të rritur pagën minimale dhe ndihmën për të varfërit si dhe për të zhvilluar industri të energjisë së pastër që do të krijonin miliona vendeve të reja pune. Shqetësimi i tij i parë, megjithatë, do të jetë përballja me pandeminë e koronavirusit. Të hënën ai pritet të njoftojë formimin e një grupi të posaçëm për të këshilluar presidentin e zgjedhur mbi mënyrat se si mund të përballohet kjo sëmundje që ka lënë më shumë se 236,000 të vdekur në SHBA dhe ka infektuar mëse 9.8 milionë, sipas Universitetit Johns Hopkins. “Ne mund të shpëtojmë shumë jetë në muajt në vazhdim”, tha ai gjatë një fjalimi në Uilmington të premten. Por analistët thonë se sfidat e zotit Biden janë mjaft të mëdha dhe suksesi i tij do të varet nga rrugët që do të ndjekë për të bashkuar vendin dhe për të gjetur gjuhë të përbashkët me republikanët në Kongres sapo të jetë larguar Presidenti Donald Trump. Bashkë me kërkimin e mënyrave për të frenuar pandeminë, Biden ka vënë gjithashtu si përparësi masat e lehtësimit ekonomik për 20 milionë njerëz që kanë humbur vendet e punës gjatë pandemisë, e cila ka dëmtuar rëndë industri të tëra, duke ndikuar sidomos në aktivitete të tilla si udhëtimet, kinematë dhe restorantet. Presidenti i zgjedhur Biden mund të përballet gjithashtu me sfida brenda Partisë së tij Demokrate, mes krahut të moderuar dhe atij progresist që kërkon programe transformuese të tilla si një plan të kujdesit shëndetësor universal, i cili do të eliminonte sigurimin shëndetësor privat dhe do të kërkonte triliona dollarë taksa shtesë për t’u realizuar.