Rusia vendos paqeruajtës në Nagorni-Karabak
Presidenti rus Vladimir Putin thotë se paqeruajtësit rusë janë duke u vendosur në rajonin e diskutueshëm të Nagorni-Karabakut, pas një marrëveshjeje të re armëpushimi midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.
"Një kontingjent rus paqeruajtës po vendoset përgjatë vijës së kontaktit në Nagorni-Karabak dhe përgjatë korridorit që lidh Nagorni-Karabakun me Republikën e Armenisë," tha Putini në një deklaratë televizive. Ministria Ruse e Mbrojtjes tha se kishte filluar dërgimin e 1,960 ushtarakëve, së bashku me pajisjet dhe automjetet e tyre. "Avioni i pestë i transportit ushtarak Il-76 me paqeruajtës rusë në bord u ngrit nga fusha ajrore Ulyanovsk-Vostochny. Në bord ndodhen personel nga njësia paqeruajtëse, transportues të blinduar të personelit dhe materiali," tha ministria në një deklaratë. Udhëheqësit e Armenisë, Azerbajxhanit dhe Rusisë kanë nënshkruar një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit ushtarak mbi rajonin e shkëputur të Nagorni Karabakut. Njoftimi i 10 nëntorit për t’i dhënë fund luftimeve midis Azerbajxhanit dhe armenëve etnikë përmes marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Rusia erdhi pasi forcat azerbajxhanase bënë përparime të mëdha në fushën e betejës, përfshirë raportet se këto forca po i afroheshin kryeqytetit të rajonit, Stepanakert. Sipas marrëveshjes, Azerbajxhani mund të zotërojë rajonet që tashmë kontrollon, derisa u bëhet thirrje forcave armene që të heqin dorë nga disa pjesë jashtë kufijve të Nagorni Karabakut.