Vaksinimet në Evropë në fillim të vitit të ri
Vaksinimet e para kundër COVID-19 për vendet e BE-së mund të nisin në muajt e parë të 2021, sipas drejtores së Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).
Andrea Ammon tha se këto parashikime vlejnë sipas një skenari mjaft “optimist”.Komentet e saj janë bërë pasi kompania Pfizr dhe BioNtech deklaroi se vaksina e tyre ka rezultuar më shumë se 90 për qind efikase.Kompanitë shpresojnë të aplikojnë për autorizimin e vaksinës brenda këtij muaji tek Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA). Brukseli do të nënshkruajë një marrëveshje për të siguruar rreth 300 milionë doza nga BioNTech dhe Pfizer.“Kjo është vaksina më premtuese deri më tani”, tha Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Europian, i cili është krahu ekzekutiv i BE-së. “Kur vaksina të jetë e gatshme, plani ynë është ta shpërndajmë në Europë sa më parë”. Bashkimi Evropian ka firmosur edhe tre marrëveshje të tjera me kompani të ndryshme farmaceutike duke i mundësuar vendeve anëtare që të blejnë afërsisht 1 miliardë doza në rast se vaksina miratohet. Komisioni u shpreh se në momentin që do të miratohet vaksina, vendet anëtare duhet të kenë qasje ndaj saj në të njëjtën kohë dhe t’i japin prioritet grupeve më të rrezikuara, si punonjësit e shëndetit dhe grup-moshat mbi të 60-tat. Stella Kyriakides, Komisionerja e BE për shëndetin, u tregua disi më e kujdesshme teksa fliste për vaksinën por pranoi se është një lajm “që ndjell shpresë”. “Edhe kur të kemi një vaksinë të sigurt dhe efikase, kjo nuk do të thotë që COVID-19 do të zhduket brenda ditës”, paralajmëroi ajo.