Trump vijon të mos pranojë humbjen
Pas një rinumërimi me dorë të votave, zyrtarët e Xhorxhias çertifikuan rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në këtë shtet, duke konfirmuar fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden.
Megjithatë presidenti Trump nuk po jep shenja se do ta pranojë humbjen. Edhe pse mbështetësit e Presidentit Donald Trump marshuan në kryeqytetin e Xhorxhias, Atlanta në fillim të kësaj jave, për të kërkuar hetim rreth pretendimeve për mashtrim zgjedhor, zyrtarët riafirmuan dje se Joe Biden ka fituar në këtë shtet pas rinumërimit të votave. Ky ishte rinumërimi me përmasat më të mëdha në historinë amerikane. “Shifrat pasqyrojnë verdiktin e popullit, jo një vendim nga zyra e sekretarit të shtetit, ose gjykatat, apo nga njëra prej fushatave,” tha Brad Raffensperger, Sekretar i Shtetit i Xhorxhias. Ndërkohë fushata e Trump vazhdon të pretendojë se zgjedhjet u manipuluan. Sidoqoftë, ekipi ligjor i Trump nuk ka arritur të japë prova për mashtrim me votave, një fakt që ekipi i Biden e thekson vazhdimisht. Dyzet e pesë përqind e republikanëve thonë se Trump duhet të pranojë humbjen nëse nuk mund t’i mbështesë me fakte pretendimet për mashtrim, ndërsa 27% thonë se ai nuk duhet ta pranojë humbjen në asnjë rrethanë.