Situata e rënduar në Amerikë
Miliona amerikanë po sfidojnë paralajmërimet për koronavirusin dhe po udhëtojnë në prag të festës së Falënderimeve të enjten, që mund të çojë në një rritje të infeksioneve para se një seri vaksinash të reja të vihen në dispozicion të publikut.
Ndërkohë që numri i infektimeve në SHBA ka arritur një rekord prej mesatarisht 168,000 në ditë, amerikanët po vërshojnë në aeroportet e mbushura plot, me gjithë këshillat e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), si dhe të ekspertit kryesor të vendit për sëmundjet ngjitëse, Dr. Anthony Fauci. Rreth 1 milion udhëtarë kaluan të dielën nëpër kontrollet e aeroporteve, numri më i lartë që nga fillimi i pandemisë në Shtetet e Bashkuara. Ishte hera e dytë në tre ditë që udhëtarët e kontrolluar kapnin shifrën 1 milion, njoftoi Administrata amerikane e Sigurisë së Transportit. Ndërkohë, mesatarja e vdekjeve nga COVID-i në SHBA u rrit për të 12-tën ditë me radhë, duke arritur në 1,500 që nga e hëna. Kjo e ka rritur më tej barrën për personelin e lodhur mjekësor, tani që shtrimet në spital me koronavirus janë rritur me gati 50 për qind gjatë dy javëve të fundit. Shtetet e Bashkuara e kanë tejkaluar tashmë shifrën e 255,000 vdekjeve dhe 12 milion infeksioneve që nga fillimi i pandemisë.