Biden: Amerika ndodhet në situatë emergjente
https://parstoday.ir/sq/news/world-i102037-biden_amerika_ndodhet_në_situatë_emergjente
Presidenti i zgjedhur i Amerikës e ka përshkruar situatën aktuale të Amerikës si emergjente për shkak të përhapjes jashtë mase të virusit Korona dhe pasojat e kësaj pandemie.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Dhjetor 06, 2020 11:21 Europe/Tirane
  • Biden: Amerika ndodhet në situatë emergjente

Presidenti i zgjedhur i Amerikës e ka përshkruar situatën aktuale të Amerikës si emergjente për shkak të përhapjes jashtë mase të virusit Korona dhe pasojat e kësaj pandemie.

Agjencia e lajmeve ISNA njoftoi se Joe Biden, presidenti i zgjedhur i Amerikës, në një mesazh në Twitter, ka thënë se duke marrë parasysh situatën emergjente në Amerikë, amerikanët kanë nevojë për ndihma.  

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka thënë se raporti mbi papunësinë në SHBA tregon se rimëkëmbja ekonomike është duke ngecur dhe i ka bërë thirrje Kongresit që të miratojë Projektligjin për ndihmë pas krizës së shkaktuar nga koronavirusi.

“Nëse nuk veprojmë tash, e ardhmja do të jetë shumë e zymtë. Amerikanët kanë nevojë për ndihmë dhe ajo ndihmë iu duhet tani”,- ka theksuar ai.

Pasi qeveria raportoi më 4 dhjetor për shkallën e papunësisë në muajin nëntor, Biden u tha gazetarëve se ai mbështet një pako prej 908 miliardë dollarësh për COVID-19 që po shqyrtohet në Kongres.

Ai tha se sapo të marrë detyrën do të kërkojë nga Kongresi që të miratojë më shumë pako të ndihmës, duke shtuar se pakoja që po shqyrtohet tashmë është “vetëm fillimi”.

Biden dëshiron që demokratët dhe republikanët në Kongres të miratojnë pako më të mëdha të ndihmës sepse “ata do të përballen me një nevojë të paparë” për këtë gjë, tha ai.

Momentumi po ndërtohet në Kongres lidhur me këtë projektligj, që mundëson ndihmë financiare për bizneset, të papunët, shkollat dhe për kujdesin shëndetësor.

Ky projektligj është projektligji i dytë i ndihmës, pasi pakoja e parë u miratua në muajin mars.