Europa ‘i tregon dhëmbët’ Turqisë
Udhëheqësit e Bashkimit Europian kanë rënë dakord mbi hapat e parë për sanksione kundër Turqisë. Ky veprim i vendeve të bllokut vjen pas tensioneve në Mesdheun Lindor që u shkaktua nga kërkimshpimi për gaz natyror nga Ankaraja, në brigjet e Greqisë dhe Qipros.
“Këshilli miratoi sanksione përballë veprimeve dhe provokimeve të njëanshme të Turqisë”, shkroi ministri francez për Çështjet Evropiane. Në gusht, Turqia dërgoi një anije kërkimi gazi për të vëzhguar shtratin e detit në ujërat e pretenduara nga Qiproja dhe Greqia, duke shkaktuar një mosmarrëveshje diplomatike me Bashkimin Europian. Që nga ajo kohë, Brukseli ka parë mundësitë e tij për të bërë presion ndaj Turqisë për të ndaluar kërkimet e gazit në rajon. Vendimi i marrë nga institucionet e BE-së, hap rrugën për penalizimin e individëve dhe kompanive të përfshira në planifikimin dhe kryerjen e kërkimit të gazit, ndalime udhëtimi në Bashkimin Europian dhe ngrirjen e aseteve. “Për fat të keq, Turqia është angazhuar në veprime të njëanshme dhe provokime dhe përshkallëzoi retorikën e saj kundër Bashkimit Europian, vendeve anëtare të BE dhe udhëheqësve europianë,” thuhet në deklaratën e lëshuar nga Brukseli. Një diplomat tha për agjencinë AFP se sanksionet do të kenë në shënjestër individë dhe se blloku do të ndërmarrë edhe masa të tjera, “nëse Turqia vazhdon me veprimet e saj”. Presidenti francez, Emmanuel Macron e mirëpriti vendimin e BE-së duke thënë se do të kishte zhgënjim në Greqi dhe Qipro, nëse liderët evropianë nuk do të pajtoheshin për një embargo të armëve apo për sanksionim të sektorëve të ekonomisë turke. Në reagim, ministria e Jashtme turke tha se qasja e BE-së ishte “e njëanshme dhe e paligjshme”. Udhëheqësit europianë lanë derën e hapur për një masë më të rreptë në të ardhmen, duke udhëzuar shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të përpilojë një raport mbi marrëdhëniet politike, ekonomike dhe tregtare BE-Turqi. Liderët e kanë mandatuar shefin për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell që të përgatisë një raport me më shumë masa ndaj Turqisë, i cili duhet të dorëzohet marsin e ardhshëm. 27 vendet e BE thuhet se janë të ndara për mënyrën më të mirë të trajtimit të Turqisë. Franca dhe Qipro kanë shtyrë për masa më të ashpra, por vendet e tjera janë të shqetësuara për minimin e mëtejshëm të ekonomisë tashmë të shkatërruar të vendit dhe destabilizimin e rajonit. Ndërkohë, mediat amerikane raportuan se shumë shpejt SHBA-ja do të vendosë sanksione ndaj Turqisë për shkak të blerjes së sistemeve të mbrojtjes nga Rusia. Sanksionet amerikane për blerjen e sistemit rus të mbrojtjes raketore nga Turqia, do të ishin “mosrespekt”, tha presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan. Sipas ligjeve në fuqi në SHBA, Uashingtoni sanksionon shtetet që blejnë sasi të konsiderueshme të armëve nga armiqtë e SHBA-së, përfshirë këtu edhe nga Rusia. Por, presidenti amerikan, Donald Trump, që e kishte quajtur Erdoganin “mik të mirë”, kishte shmangur sanksionet ndaj Turqisë. Megjithatë, teksa Trump është në javët e fundit të mandatit të tij presidencial, Washington Post raporti se ai planifikon që të vendosë sanksione ndaj Ankarasë “në ditët e ardhme për blerjen dhe testimin” e sistemit rus, S-400. “Derisa ata (administratat amerikane) thonë me krenari se ‘ne kemi në NATO një shtet si Turqia’ dhe tani e ballafaqojnë Turqinë me sanksione, më shumë është mosrespekt ndaj një partneri të rëndësishëm të NATO-s”, tha Erdogan.