Orë kritike për “Brexit-in”
https://parstoday.ir/sq/news/world-i102348-orë_kritike_për_brexit_in
Negociatat e nivelit teknik mes Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe nuk kanë mundur të ndryshojnë pozitat e palëve për marrëveshjen tregtare post-Brexit.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Dhjetor 19, 2020 19:23 Europe/Tirane
  • Orë kritike për “Brexit-in”

Negociatat e nivelit teknik mes Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe nuk kanë mundur të ndryshojnë pozitat e palëve për marrëveshjen tregtare post-Brexit.

Përfaqësuesit e palëve u takuan të shtunën në Bruksel, por burimet e tyre informuan se pengesa kryesore tani mbetet e ardhmja e zonave ekskluzive britanike të peshkimit. “Dera jonë mbetet e hapur për bisedime, por më duhet ta pranoj se do e kemi të vështirë nëse nuk ndërtojmë një urë për kapërcimin e pengesave. Ne kemi bërë shumë, dhe shpresojmë që edhe miqtë tanë në BE do të bëjnë të tyren,” deklaroi kryeministri anglez, Boris Xhonson. Britania mësohet se ka pranuar marrëveshjen që anijet nga Bashkimi Europian mund të vazhdojnë ta shfrytëzojnë detin e saj për arsye peshkimi, por pikat që ndajnë palët kanë të bëjnë me kohëzgjatjen e marrëveshjes, me sasinë dhe llojet e peshqve që do të lejohet të kapen nga vendet e BE-së, dhe në çfarë gjerësie detare anijet do të lejohet të operojnë. Largimi pa kompromis i Britanisë shihet më problematik veçanërisht nga bizneset e sektorit në vendet fqinje anëtare të BE-së, si Franca, Holanda dhe Belgjika. Parlamenti Europian ka vendosur mesnatën e së dielës si afat përfundimtar për marrëveshjen me palën britanike, për t’u dhënë kohë eurodeputetëve që ta ratifikojnë atë para fundit të vitit. Përndryshe, nga 1 janari 2021, rregullat e import-eksportit mes dy palëve do i përcaktojë Organizata Botërore e Tregtisë, ndërhyrje që do të sillte rritje të çmimet në të dyja territoret.