Bisedimet Londër – Bruksel pa asnjë shpresë
(last modified Tue, 22 Dec 2020 18:55:05 GMT )
Dhjetor 22, 2020 19:55 Europe/Tirane
  • Bisedimet Londër – Bruksel pa asnjë shpresë

Kaloi çdo afat dhe Londra dhe Brukseli nuk kanë arritur ende një marrëveshje për lidhjet tregtare pas Brexit.

Tani në vështirësi është vendosur edhe Parlamenti Europian, i cili do ta ketë thuajse të pamundur të ratifikojë ndonjë marrëveshje që ajo të marrë fuqi ligjore nga 1 janari i vitit që vjen. Eurodeputetët e konsiderojnë të pamundur të ratifikojnë një marrëveshje të mundshme postBrexit, që ajo të hyjë në fuqi më 1 janar, pasi negociatorët tejkaluan dje në mesnatë afatin e caktuar. “Lojërat politike në Westminster kanë humbur shumë kohë. Tani është e pamundur që Parlamenti të vlerësojë një marrëveshje përpara fundit të vitit. Ne nuk do të miratojmë asnjë tekst, është shumë e rëndësishme”, tha sot udhëheqësi i grupit të PPE-së, Manfred Weber në Twitter. Një marrëveshje e arritur “in extremis” mund të zbatohet për shembull përkohësisht më 1 janar, me një ratifikim të mëvonshëm nga Parlamenti Europian. Por, sipas disa burimeve europiane, një skenar i tillë është teknikisht i mundur vetëm nëse një kompromis gjendet para Krishtlindjes, pa të cilin mungesa e marrëveshjes duket e pashmangshme. Një marrëveshje tregtare duhet të gjendet përpara se Londra të largohet nga tregu i vetëm europian dhe bashkimi doganor më 31 dhjetor në orën 23:00 GMT. Përndryshe, tregtia midis BE-së dhe Londrës do të kryhet sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë ose nëpërmjet detyrimeve doganore dhe kuotave, me pasoja serioze për ekonomitë tashmë të tronditura nga pandemia. Palët kanë mosmarrëveshje për të drejtat e peshkimit dhe rregullat e konkurrencës për biznesin. Londra kundërshton vazhdimisht që të vijojë të jetë e lidhur me rregullat e Bashkimit Europian dhe kërkon sovranitet të plotë. Çarja mes palëve është aq serioze, sa drejtuesve të kamionëve që furnizojnë ishullin ju dha paralajmërimi për të mos futur në territorin e BE-së as ushqimin e tyre.

 

Tags