Erdogan: BE-ja ka një pozitë primare në agjendën e Turqisë
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u angazhua në një videokonferencë me Presidenten e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, ku u diskutua zhvillimi i marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe Unionit.
Erdogan dhe Von der Leyen biseduan për zhvillimin e marrëdhënieve Turqi-BE dhe trajtuan zhvillimet rajonale. Erdogan i tha bashkëbisedueses Von der Leyen se BE-ja ka një pozitë primare në agjendën e Turqisë duke ritheksuar se të ardhmen e Turqisë e shohin në Evropë. Ai shprehu dëshirën për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet me BE-në gjatë vitit të ri, ndërsa potencoi se viti 2020 nuk u vlerësua siç duhej për shkak të tekave dhe problemeve artificiale të prodhuara nga disa shtete anëtare të Unionit; situatë kjo që – sipas tij – nuk mund të jetë e vazhdueshme jo vetëm për të ardhmen e marrëdhënieve, por edhe në aspektin e hapësirës së gjerë gjeografike të përbashkët. Pasi vuri në pah se mjeti më i rëndësishëm që do të përdoret në një fazë të parë për një agjendë pozitive në marrëdhëniet Turqi-BE, është përditësimi i Memorandumit të 18 Marsit, kreu i shtetit turk nënvizoi se viti 2021 paraqet një mjedis produktiv për bashkëpunimin e ri që do të nisë në fushën e emigracionit. Duke ripërsëritur nevojën për azhurnimin e Unionit Doganor, liberalizimin e vizave për qytetarët turq dhe përparimin në negociatat e anëtarësimit të Turqisë në BE, Presidenti Erdogan potencoi gjithashtu domosdoshmërinë për rindërtimin e besimit të ndërsjellë dhe për t'u dhënë fund veprimeve e retorizmit përjashtues, diskriminues ndaj Turqisë, një vend përtej fqinjit dhe kandidat për anëtarësim. Gjithashtu lideri turk vlerësoi si të dobishme edhe rifillimin e samiteve dhe takimeve të rregullta të dialogut të nivelit të lartë Turqi-Bashkimi Evropian. Në fjalën e tij Presidenti Erdogan tha se vendet Perëndimore duhet të bëjnë autokritikë në lidhje me demokracinë. “Shumë ngjarje të përjetuara kohët e fundit në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë zbuluar sërish standardin e dyfishtë të treguar ndaj vendit tonë. Ne po i ndjekim si një mësim masat shumë të rënda që kanë vendosur në zbatim që në kërcënimin e parë, ata të cilët e akuzojnë Turqinë për mos-funksionim të demokracisë dhe kufizimin e të drejtave dhe lirive. Ata që nuk durojnë dot as aludimin më të vogël për terrorizmin, lëre pastaj terrorin vet, për vite të tëra janë përpjekur të na pengojnë në luftën tonë me organizatat terroriste. Ata që kundërshtojnë përpjekjet tona për të vendosur në një bazë ligjore median sociale, kanë filluar të japin shembujt më primitivë të censurës”, tha Presidenti Erdogan.