Personat e vaksinuar mund ta përhapin koronavirusin
Njerëzit që janë vaksinuar kundër koronavirusit mund të bartin virusin te të tjerët andaj duhet të vazhdojnë të respektojnë rregullat e izolimit, ka thënë zëvendës-shefi mjekësor në Britani të Madhe, Jonathan Van-Tam.
Në një shkrim në Sunday Telegraph, ai ka thënë se shkencëtarët “nuk e dinë ende ndikimin e vaksinës në bartje”. Ai ka thënë se vaksinat ofrojnë “shpresë”, dhe se shkalla e infektimit duhet të nisë të ulet shpejt. Ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hanccok, ka thënë se 75 për qind e personave mbi moshën 80-vjeçare në Mbretëri të Bashkuar tani kanë marrë dozën e parë të vaksinës. Vaksinat e kompanive, Pfizer/BioNTech dhe Oxford-AstraZeneca, duhet marrë në dy doza. Profesori Van-Tam ka thënë se “asnjë vaksinë nuk është” 100 për qind efektive, andaj edhe nuk ekziston mbrojtja e garantuar. “Edhe pasi të keni marrë të dyja dozat e vaksinës, ju ende mund t’ia transmetoni koronavirusin dikujt tjetër dhe zinxhiri i bartjes më pas vazhdon”, ka shkruar ai. Sipas të dhënave qeveritare, në gjithë Britaninë e Madhe, 5.8 milionë persona janë vaksinuar kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi. Sistemi Kombëtar i Shëndetësisë në këtë shtet, ka thënë se nga dita e hënë do të hapen qendra të reja të vaksinimit. Ndërkohë, Një vit pas pandemisë, shëndeti mendor përbën rrezik të madh për popullatën. Britania e Madhe ka publikuar shifra alarmante të fenomenit që është ndikuar më së shumti nga izolimi dhe pasiguria ekonomike. Mbi 10 mln banorë kanë konfirmuar shqetësime psikologjike. Qendra për Shëndetin Mendor në Britaninë e Madhe ka ngritur shqetësimin se masat e izolimit, shtimi i numrit të viktimave dhe goditja ekonomike kanë ndikuar ndjeshëm tek gjendja psikologjike e popullatës në këtë periudhë pandemie. Një nga ekspertët britanikë, Andy Bell shprehet se problem po akumulohet çdo ditë e më shumë. “Në këtë fazë po shohim se sa herë ka një valë të re virusi, sa herë vendosen kufizime të reja, shtohen nevojat e popullatës për kujdesin mendor. Kur ulen ritmet e infeksioneve të reja nuk ka zbutje të ndikimit mbi shëndetin mendor, problemi vetëm akumulohet”. Sipas të dhënave, pandemia e koronavirusit ka goditur gjithë shoqërinë, por ka qenë shumë më e rëndë për disa grupime: “Askush nuk është i paprekshëm. Të gjithë ndjejnë efekte psikologjike. Kjo është një traumë kolektive. Por, pa diskutim, një numër njerëzish e ndjejnë më shumë, sidomos ata që kanë të ardhura të ulëta që janë më të rrezikuar ekonomikisht nga efektet e pandemisë.,” shton Bell. Rreth 10 milionë vetë në Britani kanë nevojë për ndihmë me shëndetin mendor, sipas Qendrës për shendetin Mendor, dhe kjo vlerësohet një përqindje e lartë krahasuar me popullsinë britanike rreth 60 milionë.