Situata e Covid-19 në angli
10 milionë njerëz që jetojnë në Britani kanë marrë vaksinën e parë anti-COVID. Kështu thonë të dhënat qeveritare, të cilat tregojnë gjithashtu se thuajse gjysmë milion njerëz kanë marrë dozën e dytë. Por kryeministri Boris Johnson thotë se vendi nuk ka dalë ende nga kriza.
“Edhe pse sot ka shenja shprese dhe numri i pacientëve me COVID në spitale ka filluar të bjerë për herë të parë që nga nisja e valës së re, niveli i infeksioneve është ende alarmant dhe më vjen keq të them se kemi humbur 1 mijë e 322 jetë të tjera në 24 orët e fundit”, deklaroi Johnson. Ndërkohë, analiza të vaksinës së kompanisë “AstraZeneca” tregojnë se dozat e tyre mund të reduktojnë transmetimin e virusit me 67%. Ato treguan gjithashtu se efikasiteti nga marrja e dy dozave është rritur mbi 82%. Ndërsa kompanitë “Glaxo Smith Kline” dhe “CureVac” kanë rënë dakord për një plan 150-milionë eurosh për vaksinën e gjeneratës së re, që do të jetë gati vitin e ardhshëm. Ato do t’i fokusojnë përpjekjet tek variantet e reja. Gjithashtu, 100 milionë doza nga kompleksi Global Covax do të shpërndahen brenda tremujorit të parë në vendet e varfra nga UNICEF. OKB tha gjithashtu se do të kryejë mbi 200 milionë injeksione nga portofoili i COVAX brenda qershorit. “UNICEF, bashkë me partnerët e saj të prokurimit, do të kenë akses deri në 1.1 miliardë doza vaksina për rreth 100 vende, për thuajse 3 dollarë doza për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme”, deklaroi Henrietta Fore, drejtoreshë ekzekutive e UNICEF. Krijimi i vaksinave të ndryshme do të jetë pjesë e luftës së vazhdueshme globale kundër coronavirusit, teksa kompanitë farmaceutike do të punojnë së bashku për të qenë në pararojë për vitet e ardhshme.