Propozimi 'joshës' SHBA për Gjermaninë
Administrata amerikane e Presidentit Joe Biden ka hedhur një hap për të zgjidhur mosmarrëveshjen më të madhe që ka aktualisht me Gjermaninë, për gazsjellësin Nordstream 2.
Një nëpunës i lartë amerikan i tha një gazete gjermane se për Nordstream 2 “gjermanët duhet të paraqesin një zgjidhje paketë në tryezë”. Me këtë amerikanët sinjalizojnë se janë të gatshëm të negociojnë për një çështje, tek e cila në SHBA si rrallë herë janë bërë bashkë republikanët dhe demokratët: për ta penguar me çdo mjet përfundimin e gazsjellësit që do të sjellë gaz nga Rusia në Gjermani e Evropë, pasi ai prek interesat e sigurisë të SHBA. Zgjidhja paketë kupton për amerikanët që ata mund të heqin dorë nga sanksionet ndaj Nordstream 2 në këmbim të sigurive se me këtë gazsjellës Ukraina nuk do të shkëputet nga tregu evropian i gazit, si dhe të hapave që do të sigurojnë se varësia e Evropës nga gazi rus të mos bëhet e madhe. Në këtë kuadër amerikanëve u duket me interes propozimi për një mekanizëm kyçës të gazsjellësit Nordstream 2. Me këtë mekanizëm do të ndërpritej gazi në Nordstream 2, në rast se Rusia e vë nën presion Ukrainën duke mos i çuar asaj gaz. Amerikanët thonë që nga sanksionet do të heqin dorë vetëm po të sigurohen që Rusia nuk do ta përdorë Nordstream 2 si armë, kundër Ukrainës dhe fqinjëve të tjerë.