Gjermania zgjat bllokimin deri më 7 mars
Federata dhe landet në Gjermani në takimin e ri të nivelit të lartë mbi masat ndaj coronavirusit vendosën të shtyjnë deri më 7 mars masat kufizuese.
Sidoqoftë do të ketë disa lehtësime: Floktoret do të lejohen të hapen nga 1 marsi. Mbyllja e kufizuar fillimisht deri në mes të shkurtit për të luftuar pandeminë e coronavirusit në Gjermani do të shtyhet deri më 7 mars. Përjashtim do të ketë për floktoret, që mund të rihapen nga 1 marsi nën masa të rrepta për ruajtjen e higjienës. Kështu vendosën kancelarja Angela Merkel dhe kryeministrat e landeve. Hapja e shkollave dhe kopshteve të fëmijëve nuk do të rregullohet në nivel federal, por në bazë të kompetencave të landeve. Merkel e cilësoi rrezikun nga mutacionet e coronavirusit deri në mes të marsit si “ekzistencial” për zhvillimet e mëtejshme në sfondin e pandemisë në Gjermani. Në këtë fazë do të kuptohet, nëse coronaviruset që kanë pësuar mutacion do të dominojnë, tha Merkel. Ka rrezik për një valë të tretë, që duhet luftuar me masa politike. Në Gjermani numri i rasteve të reja të infeksioneve të provuara brenda 24 orëve ka qenë rreth 8072 duke çuar kështu shifrën e përgjithshme në 2.299.996. Janë komunikuar gjithashtu 813 raste të reja vdekjeje nga coronavirusi. Gjithsej që nga fillimi i pandemisë në Gjermani kanë humbur jetën nga infeksioni 62.969 vetë.