SHBA: Turqia të heqë dorë nga armatimi rus
https://parstoday.ir/sq/news/world-i104154-shba_turqia_të_heqë_dorë_nga_armatimi_rus
Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur thirrjen drejtuar Turqisë që të tërhiqet nga furnizimi me sistemin rus të mbrojtjes raketore.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shkurt 11, 2021 16:21 Europe/Tirane
  • SHBA: Turqia të heqë dorë nga armatimi rus

Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur thirrjen drejtuar Turqisë që të tërhiqet nga furnizimi me sistemin rus të mbrojtjes raketore.

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, gjatë një interviste këtë javë u shpreh në favor të një zgjidhjeje kompromisi për sistemin rus S-400, të cilin Rusia fillimisht e ndërtoi për të shënjestruar aeroplanët luftarakë perëndimor. Por, SHBA-ja nuk është e interesuar për ofertën turke. “Politika jonë për sistemin S-400 nuk ka ndryshuar“, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, kur u pyet në lidhje me propozimin turk.”Këto sisteme janë të papërshtatshme me pajisjet e NATO-s, ato kërcënojnë sigurinë e teknologjisë së NATO-s dhe janë në kundërshtim me angazhimet e Turqisë si një aleat i NATO-s“, u tha Price gazetarëve. “Ne kemi kërkuar dhe do të vazhdojmë të kërkojmë nga Turqia të mos e mbajë këtë sistem“, tha ai. Ministri turk, ka përmendur rastin e Greqisë, e cila pasi kishte blerë sistemin rus S-300 nuk e kishte bërë plotësisht funksional atë. Por, sistemi S-400, sipas zyrtarëve amerikanë, është më i përparuar prandaj e kanë hedhur poshtë krahasimin. Turqia ka vazhduar zbatimin e marrëveshjes me Moskën pavarësisht paralajmërimeve nga Shtetet e Bashkuara. Administrata e ish-presidentit, Donald Trump, përjashtoi Ankaranë nga programi i avionëve luftarakë F-35 dhe vendosi disa sanksione në fushën e prokurimit me Turqinë. Presidenti amerikan, Joe Biden u zotua gjatë fushatës zgjedhore se do të ashpërsojë qëndrimin e SHBA-së ndaj presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, të cilin ai e ka përshkruar si autokrat.