Gjermani, mbi 500 viktima në 24 orët e fundit
Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 508 humbje jete në Gjermani si pasojë e Covid-19.
Në njoftimin e Institutit “Robert Koch” thuhet se gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 508 raste të vdekjes, me çka numri i viktimave është rritur në 67.206. Me 9.113 raste të reja me COVID-19 numri i përgjithshëm i të infektuarve është rritur në 2.369.719. Më shumë se 3 milionë persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës ndërsa më shumë se 1.63 milionë të tjerë dozën e dytë. Mbi 110 262 590 raste me COVID-19 janë diagnostikuar zyrtarisht në botë që prej fillimit të pandemisë, prej të cilëve 2 441 926 kanë humbur jetën dhe të paktën 67 666 600 persona konsiderohen sot të shëruar, sipas të dhënave të Universitetit amerikan “Johns Hopkins”. Vendet që kanë regjistruar më shumë të vdekur në bilancet e fundit janë SHBA-ja me 2 839 të vdekur, Brazili me 1 367 të vdekur dhe Meksika me 1.047 të vdekur.