Fauci: Përçarjet politike sollën humbje jetësh
Përçarjet politike në SHBA shkaktuan edhe shpërqendrimin nga pandemia dhe sollën humbje të madhe të jetëve njerëzore.
Ky është përfundimi më i fundit i imunologut Anthony Fauci, sipas të cilit Amerika mund t’i kishte shmangur fatalitetet nëse qeveritë e saj do të ishin përqendruar më shumë tek situata me virusin. “Edhe në rrethanat më të mira, ky do të kishte qenë një problem shumë serioz,” – tha Dr. Fauci, duke theksuar se me gjithë respektimin e fortë të masave të shëndetit publik, vendeve të tilla si Gjermania dhe Britania e Madhe iu desh të përballeshin me vështirësi për të luftuar virusin. Dr. Anthony Fauci, u shpreh sot se ka shumë mundësi që amerikanët do të duhet që të mbajnë maska deri në 2022 për t’u mbrojtur kundër koronavirusit edhe nëse vendi zbut kufizimet. Mijëra amerikanë vazhdojnë të vdesin çdo ditë nga virusi. “Për dekada, njerëzit do të flasin për këtë kohë kur vdiqën kaq shumë njerëz”, tha ai. Që nga nisja e pandemisë, në SHBA, si pasojë e pandemisë kanë humbur jetën 510,016, ndërsa 28,747,636 të tjerë janë infektuar.