Pas sanksioneve të reja nga BE, Rusia kërcënoi me pasoja
Moska i konsideron si provokim sanksionet e BE-së për dënimin e Alexey Navalnit dhe deklaron se do të kundërpërgjigjet.
Rusia kërcënoi me pasoja pas njoftimeve për sanksione të reja të BE-së ndaj Rusisë për shkak të burgosjes së kritikut të Kremlinit, Alexey Navalny. Sanksionet nuk do të mbeten pa përgjigje nga pala ruse, tha kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dumës, Leonid Slutsky, sikurse njofton agjencia Interfax. Ai nuk dha asnjë detaj, por tha se masat ndëshkuese në çështjen Navalny janë “një hap tjetër drejt përkeqësimit të marrëdhënieve me Rusinë”. Slutsky e akuzoi Brukselin se e refuzon në mënyrë konsekuente hyrjen në një dialog me Moskën duke u nisur “nga shkaqe absolutisht të largëta dhe provokuese”. “Kjo nuk mund të kontribuojë në asnjë mënyrë për normalizimin”, tha Leonid Slutsky. Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së kishin rënë dakord më parë të fillonin me përgatitjet e nevojshme për masat e reja ndëshkimore ndaj Rusisë. Sipas informacioneve nga Brukseli për këtë do të përdoret një instrument i ri sanksionesh. Ky bën të mundur që BE-ja të ngrijë pasuri që mund të kenë në BE aktorë përgjegjës për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Fjala është si për ata që kryejnë shkelje të tilla edhe për ata që përfitojnë prej tyre. Përveç kësaj pritet që një sërë personash nga Rusia t’u ndalohet të hyjnë në BE. Gjatë takimit Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së nuk diskutuan mbi asnjë emër, por diplomatët thanë se në shënjestër të sanksioneve do të jenë kreu i Komitetit Hetimor rus, i cili merret me hetime për krime të rënda, drejtori i burgjeve, drejtori i Gardës Kombëtare ruse dhe prokurori i përgjithshëm, të cilët pritet të ndëshkohen me ndalim udhëtimi dhe ngrirje pasurish. Pavarësisht thirrjes drejtuar BE-së nga ndihmësit më të afërt të zotit Navalny për të vendosur sanksione ndaj anëtarëve të elitës së biznesit rus me lidhje të afërta me Presidentin Putin, qeveritë e BE-së kanë argumentuar në favor të shënjestrimit të zyrtarëve të lartë, pasi sipas tyre sanksione të tilla mund t’i rezistojnë më mirë sfidave ligjore. “Ne e kemi bërë të qartë që prej arrestimit të udhëheqësit rus të opozitës Alexei Navalnyt se nuk jemi të gatshëm të pranojmë këtë shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe kemi vendosur sanksione”, tha para takimit ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas. Drejtësia ruse e dënoi Navalnin të shtunën me dy vjet e gjashtë muaj kamp internimi. Ky proces kritikohet si i motivuar politikisht.