BE kritikon Italinë për prodhimin e Sputnik V
Zyrtarët e Bashkimit Evropian po kritikojnë marrëveshjen e Italisë për të prodhuar vaksinën ruse kundër koronavirusit “Sputnik V”, dhe thanë se ajo nuk është miratuar ende për përdorim brenda bllokut.
Marrëveshja e njoftuar në fillim të kësaj jave, ka nxitur një shkëmbim deklaratash të zemëruara mes Bashkimit Evropian dhe zyrtarëve rusë. Kryetarja e Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) u kërkoi vendeve anëtare të mos japin autorizim për përdorimin në raste urgjente të Sputnik-ut, pasi kjo sipas saj do të ishte për shëndetin publik sikur të luaje me “ruletën ruse”. Por Italia, së bashku me disa vende anëtare, përfshirë Hungarinë, ndihet e lodhur nga mungesa e vaksinave në të gjithë bllokun dhe po përpiqet me dëshpërim të përshpejtojë programin e saj të vaksinimit, megjithëse ministri italian i shëndetësisë ka thënë se do të presë miratimin e BE-së para se të nisë vaksinimi i italianëve me Sputnik V. Zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin, Dmitry Peskov, tha se marrëveshja e arritur mes Fondit shtetëror rus të Investimeve Direkte, i cili ka financuar zhvillimin e Sputnik-ut dhe firmës italo-zvicerane Adienne Pharma & Biotech, mund të ndihmojë Italinë që të kompensojë mungesën e vaksinave. Kirill Dmitriev, kreu i fondit, tha se marrëveshja ka potencialin për të “shpëtuar shumë jetë në Itali”.