SHBA-ja: Turqia të mos e mbajë armatimin rus
Shtetet e Bashkuara e kanë përsëritur thirrjen ndaj Turqisë që të braktisë sistemin rus të mbrojtjes raketore S-400.
Gjatë një takimi të mbajtur në Bruksel, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i ka kërkuar ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu që vendi tij të mos e mbajë armatimin rus, për të cilin SHBA-ja thotë se paraqet rrezik për sistemin e NATO-s. Dy vendet aleate të NATO-s qe një kohë të gjatë kanë mosmarrëveshje lidhur me këtë çështje. Vitin e kaluar, Uashingtoni pezulloi Turqinë nga programi i tij i avionëve luftarakë F-35. Departamenti amerikan i Shtetit përmes një njoftimi tha se Blinken dhe Cavusoglu diskutuan gjithashtu lidhur me përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet e tensionuara midis anëtarëve të aleancës Turqisë dhe Greqisë. Të dy zyrtarët kanë diskutuar gjithashtu interesat e përbashkëta në Siri dhe Afganistan. Nga ana e tij, Cavusoglu tha se bisedimet e tij me Blinken u zhvilluan në një atmosferë konstruktive dhe se ata ranë dakord të zhvillonin një takim më gjithëpërfshirës në Turqi ose Shtetet e Bashkuara. Por, Cavusoglu i ka thënë Sekretarit Blinken se blerja nga Ankaraja e sistemeve S-400 ishte “një punë e mbaruar”. Dorëzimet e katër baterive të para të raketave S-400, nga Rusia në Turqi, filluan në korrik të vitit 2019.