Kievi sanksionon 11 organizata ruse
Presidenti ukrainas Vladimir Zelensky ka urdhëruar sanksionimin e 11 organizatave dhe kompanive ruse, përfshirë Ministrinë e Jashtme ruse.
Zelensky zbatoi vendimin e Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Ukrainës, sipas të cilit 11 organizata dhe kompani ruse u sanksionuan, njoftoi RIA Novosti. Ndër organizatat dhe kompanitë e sanksionuara janë Organizata Ruse e Bashkëpunimit të Jashtëm (përgjegjëse për zgjerimin e bashkëpunimit kulturor të Rusisë me vendet e tjera), Kompania e Transportit Volga Denper, fabrikat e riparimit të avionëve Nr. 322 dhe Nr. 514, Qendra e Riparimit të Anijeve Dal Zavood, Kompania e Makinerive Somormash-m2 dhe Snabcom. Sipas urdhrit të Zelenskit, e gjithë pasuria dhe kapitalet e këtyre qendrave do të konfiskohen dhe do të ndalohet çdo transaksion dhe bashkëpunim me këto qendra dhe objekte. Në një mesazh të tij, Kryetari i Dumës Ruse Vyacheslav Volodin i quajti sanksionet e Ukrainës ndaj subjekteve ruse një shkelje e qartë të parimeve dhe ligjeve ndërkombëtare dhe sjellje joracionale. "Sanksionimi i agjencive qeveritare të përfshira në bashkëpunimin ndërkombëtar humanitar është i pashembullt," tha ai. Ditët e fundit tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës janë përshkallëzuar, ndërkohë që palët akuzojnë njëri-tjetrin për përshkallëzimin e tensioneve në Ukrainën lindore. Një fëmijë 5-vjeçar u vra dhe një tjetër u plagos të Dielën kur një dron i ushtrisë ukrainase goditi një zonë banimi afër qytetit lindor të Ukrainës Donetsk. Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë theksuar mbështetjen e tyre për Ukrainën kundër Rusisë.