Trazira në Mineapolis, pas vrasjes së afrikano-amerikanit
(last modified Tue, 13 Apr 2021 18:18:52 GMT )
Prill 13, 2021 20:18 Europe/Tirane
  • Trazira në Mineapolis, pas vrasjes së afrikano-amerikanit

Nata e dytë me trazira kaloi në qytetin Mineapolis të Shteteve të Bashkuara, ku policia qëlloi për vdekje një afrikano-amerikan.

Shefi i policisë së qendrës Bruklin, Tim Gannon, tha se policja aksidentalisht qëlloi dhe vrau 20-vjeçarin Daunte Wright, pasi nxori pistoletën në vend të armës me elektroshok. “Oficerja nxori pistoletën në vend të armës me elektroshok”, tha Gannon në një konferencë për shtyp. “Ishte një shkrepje aksidentale që rezultoi me vdekjen tragjike të Wrightit. Nuk mund të them asgjë për të zvogëluar dhimbjen e familjes së tij”, tha Gannon. Policja u identifikua më vonë si Kim Potter, e cila ka punuar për policinë e qendrës Bruklin për 26 vjet. Incidenti shkaktoi protesta për të dytën natë me radhë, me gjithë orën policore dhe gjendjen e jashtëzakonshme, të shpallur nga autoritetet. Policia hodhi gaz lotsjellës dhe plumba gome për t’i shpërndarë protestuesit. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se vrasja është “tragjike”, por paralajmëroi kundër trazirave të dhunshme, të tilla si ato që përfshinë SHBA-në vitin e kaluar, pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd në duart e një polici në Mineapolis. “Mendoj se duhet të presim dhe të shohim se çfarë tregojnë hetimet”, u tha Biden gazetarëve.

 

Tags