Pse Amerika po largohet nga Afganistani?
Më në fund, pas njëzet viteve të luftës në Afganistan, Presidenti i SHBA Joe Biden ka vendosur të ngrejë flamujt e bardhë të dorëzimit "të lyer" nga gjaku i më shumë se 2,400 ushtarëve të vdekur dhe 21,000 ushtarëve të plagosur, dhe të tërheqë të gjitha forcat e tij (3,500 ushtarë ) nga Afganistani, para përvjetorit të njëzetë të sulmeve të 11 shtatorit duke pranuar zyrtarisht humbjen.
Kjo arritje e madhe, e cila nuk është më pak e rëndësishme sesa humbja e Amerikës në Vietnam, nuk do të ishte e mundur pa durimin e afganëve dhe rezistencën e tyre të vazhdueshme ndaj pushtimit amerikan. Lufta në Afganistan, e cila ishte lufta më e gjatë e Shteteve të Bashkuara dhe që u kushtoi taksapaguesve Amerikanë më shumë se dy trilionë dollarë, na kujton tërheqjen e amerikanëve nga Vietnami i Jugut dhe hyrjen e forcave Vietkonge në kryeqytetin Saigon. Fjalia më e vërtetë që Biden shqiptoi në fjalimin e tij të Mërkurën në mbrëmje është ajo në të cilën ai tha: "Unë jam presidenti i katërt amerikan që jeton këtë luftë dhe nuk do t'ia trashëgoj atë presidentit të pestë, i cili do të marrë pushtetin pas meje". Por Biden nuk tha se ai kishte kuptuar atë që presidentët e mëparshëm nuk kishin arritur të kuptonin, domethënë pamundësinë e pushtimit të vullnetit të popujve, vazhdimin e okupimit të tyre me forcën e avionëve, raketave dhe mercenarëve dhe duke kryer masakra kundër afganëve të pafajshëm. Ajo që është e sigurt është se përfundimi i tërheqjes SHBA-NATO shtatorin e ardhshëm do të krijojë një vakum që do të mbushet nga një luftë e përgjakshme civile, pasi qeveria e Presidentit Ashraf Ghani përpiqet të luftojë për të mbijetuar në pushtet, me mbështetjen e 300,000 afganëve dhe ushtarëve të trajnuar dhe të armatosur nga NATO gjatë 20 viteve të fundit. Një luftë që nuk do të zgjasë shumë, dhe forcat Talibane, të cilat kontrollojnë gati 70% të territorit afgan, do të hyjnë në kryeqytetin, Kabul, siç hynë për herë të parë në vjeshtën e vitit 1996, duke ngritur flamujt e tyre mbi pallatin presidencial. Arroganca amerikane mori një "grusht fatal" në Afganistan, ashtu si grushtet e ngjashëm në Irak, Siri dhe Jemen, dhe së shpejti në Palestinën e okupuar. Një globalizim i ri që do të përmbysë Uashingtonin dhe dollarin e tij nga froni i botës. Afganistani dhe Jemeni janë dy vende të lehta për tu pushtuar, por është e pamundur të qëndrosh atje dhe nuk ka asnjë mënyrë për të shpëtuar nga kjo përveçse me një humbje poshtëruese, jo vetëm për shkak të natyrës së tyre të vështirë malore, por edhe për shkak të durimit të popujve të tyre dhe vullnetit të fortë për të rezistuar, për të ruajtur dinjitetin dhe krenarinë e tyre. Këtë e dëshmojnë faktet historike dhe dështimet e britanikëve dhe osmanëve në luginat dhe malet e të dy vendeve. Amerika mundi rusët në Afganistan duke rekrutuar ekstremistë dhe u hakmor për humbjen e saj në Vietnam, dhe me këtë nguli gozhdën më të madhe në arkivolin e perandorisë Sovjetike dhe tani përpiqet të përsërisë të njëjtin skenar në Kinë, por nuk do të ketë sukses, sepse bota ka ndryshuar dhe armiku nuk është më armiku i vjetër dhe mjetet amerikane janë të vjetra, të ndryshkura dhe joefektive. Shtetet duhet të mësojnë se çmimi i rezistencës është shumë më i ulët se ai i dorëzimit përballë Amerikës dhe komploteve të saj. Koha për disfatat serike të SHBA ka filluar dhe Biden po i lutet Presidentit Vladimir Putin ta takojë atë, po tërheq anijet e tij luftarake nga Deti i Zi, dhe është duke i ofruar Iranit koncesione të paimagjinueshme në bisedimet e Vjenës.