Bjellorusia: Perëndimi shkeli vijat e kuqe
Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, ka qortuar fuqitë perëndimore duke thënë se i duan të keqen vendit të tij.
Kryeshtetasi bjellorus reagoi të mërkurën publikisht për herë të parë që prej incidentit të fundjavës kur nën urdhrat e tij, mësohet se u kërkua ulja e detyrueshme e një avioni që po fluturonte drejt Lituanisë dhe ku pasagjer ishte edhe një gazetar kritik me qeverinë. Lukashenko i tha parlamentit se ai veproi ligjërisht në interes të popullit, bazuar në një informacion paraprak nga Zvicra se në avion ndodhej një bombë. Presidenti e quajti gënjeshtër pretendimin se avioni u shoqërua nga një avion luftarak bjellorus deri në uljen në aeroportin e Minskut. "Siç e parashikonim, keqdashësit tanë brenda dhe jashtë kanë ndryshuar metodat e sulmeve ndaj shtetit. Po shkelin shumë vija të kuqe dhe kufijtë e gjykimeve të shëndosha e morale." Reagimi i Lukashenkos vjen pas vendimit të Bashkimit Europian për t'i ndaluar çdo kompanie ajrore bjelloruse fluturimin në hapësirën ajrore dhe përdorimin e aeroporteve europiane. Si pasojë e ngjarjes së fundit, linja të ndryshme ndërkombëtare gjithashtu po devijojnë fluturimet e tyre jashtë hapësirës ajrore bjelloruse.