Putin: Evropianët të paguajnë me euro
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u bëri thirrje të premten vendeve evropiane që kur të blejnë gazin rus të paguajnë në euro dhe jo dollarë amerikan.
“Euro është plotësisht e pranueshme për ne për sa i takon pagesave të gazit”, tha Putin në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg. Komentet e udhëheqësit rus bëhen një ditë pasi Ministria e Ekonomisë në Rusi njoftoi se po e largon dollarin nga Fondi i Pasurisë së saj Kombëtare dhe po e zëvendëson me monedha tjera. Nga data 20 maj pjesa e dollarit në fond ishte ulur në zero për qind nga 35 sa ka qenë. Ministri rus i Financave, Anton Siluanov, tha se euro do të përbëjë 40 për qind të fondit, 30 për qind juani i Kinës dhe 20 për qind ari. Me nga 5 për qind do të bëjnë pjesë monedha britanike dhe ajo japoneze. Moska ka ulur rezervat e saj në dollarë që kur Perëndimi vendosi sanksione pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014.