Homazhe për viktimat që u vranë vetëm pse ishin myslimanë
Mijëra njerëz u mblodhën në qytetin kanadez London, në provincën Ontario, për të përkujtuar katër anëtarët e një familje myslimane të cilët u vranë nga një shofer.
"Ju nuk jeni vetëm, të gjithë kanadezët po vajtojnë me ju dhe janë me ju sonte," tha Kryeministri kanadez Justin Trudeau pasi vendosi një kurorë lulesh në hyrje të xhamisë. Trudeau më parë në një fjalim në Dhomën e Komunave kishte thënë se kjo vrasje nuk ishte një aksident. Ishte një sulm terrorist që buronte nga urrejtja. "Këta njerëz u vunë në shënjestër sepse të gjithë ishin myslimanë," tha Trudeau. "Kjo ndodhi këtu, në Kanada, dhe duhet të ndalet". Shoferi i quajtur Nathaniel Veltman kishte zgjedhur t'i vriste ata për shkak të besimit të tyre – kështu kishte rritur gazin në një udhëkryq duke i shkelur me mjet, ka njoftuar policia kanadeze. Sulmi ka ndodhur të dielën pasdite, kurse vrasësi është arrestuar pak minuta më vonë në parkingun e një qendre tregtare. CBS News raporton se vrasësi sipas të gjitha gjasave do të mbetet në paraburgim deri në fillimin e gjykimit. Viktimat kishin emigruar nga Pakistani 14 vite më parë dhe ishin të njohur në komunitetin lokal. Në këtë qytezë jetojnë rreth 500.000 banorë, ku prej tyre janë 30.000 myslimanë.