Kanadezët marshojnë kundër islamofobisë
Dhjetëra mijëra kanadezë marshuan në qytetin e Londrës, në Ontario të Kanadasë, për të nderuar katër anëtarë të një familjeje myslimane të cilët humbën jetën pas një sulmi ndaj tyre.
Më 6 qershor drejtuesi i një kamioni, shkeli pesë këmbësorë, duke vrarë katër prej tyre. Marshimi ndërfetar filloi në vendin ku pesë anëtarë të familjes Afzaal u goditën nga një kamion i drejtuar nga një i dyshuar 20-vjeçar, për të cilin policia tha se e kreu sulmin si “një akt i planifikuar, të paramenduar dhe të motivuar nga urrejtja”. Marshi i organizuar për të luftuar urrejtjen dhe islamofobinë, u përmbyll në një xhami rreth shtatë kilometra larg vendit të sulmit. Mitingje për të mbajtur zi për Afzaalët dhe viktimat e tjera të dhunës kundër myslimanëve u mbajtën gjithashtu në Montreal, Otava, Toronto dhe Kebek. I dyshuari, Nathaniel Veltman, është akuzuar për katër akuza të vrasjes me paramendim dhe një akuzë për vrasje në tentativë. Ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm. Kryeministri Justin Trudeau e quajti atë një “sulm terrorist”.