Samiti i G7 i kundërvihet Kinës
https://parstoday.ir/sq/news/world-i109746-samiti_i_g7_i_kundërvihet_kinës
Liderët e shtatë vendeve më të industrializuara të botës G7 kanë miratuar sot planin për mbështetje financiare infrastrukturore ndaj vendeve me të ardhura të ulëta ose të mesme, për të rivalizuar nismat e këtij lloji të Kinës.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Qershor 12, 2021 20:50 Europe/Tirane
  • Samiti i G7 i kundërvihet Kinës

Liderët e shtatë vendeve më të industrializuara të botës G7 kanë miratuar sot planin për mbështetje financiare infrastrukturore ndaj vendeve me të ardhura të ulëta ose të mesme, për të rivalizuar nismat e këtij lloji të Kinës.

Presidenti Joe Biden kishte thënë më herët se dëshironte që iniciativa e SHBA për Rindërtimin e Një Bote më të Mirë (B3W) të ishte një alternativë më e mirë sesa programi ndërkombëtar i Kinës “Një brez, një rrugë”, me të cilin ajo po financon ndërtimin e rrugëve, hekurudhave e porteve në shumë vende të botës. Në deklaratën e samitit që po zhvillohet në rezortin britanik të Cornwall, liderët e G7 thanë se ata do të ofrojnë një partneritet “të udhëhequr nga vlerat, standardet e larta dhe transparenca”. Por detajet financiare të planti të G7 mbeten ende të paqarta. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se grupi nuk është ende gati për të publikuar financat e iniciativës së saj. G7 pritet të përfshijnë në planin e tyre strategji për ndalimin e pandemive të reja në botë. Masat përfshijnë reduktimin e kohës së krijimit dhe shpërndarjes së vaksinave e mjekimeve të Covid-19. Në sesionin e sotëm amerikanët ishin duke ngritur sfidën e tyre të parë zyrtare ndaj rritjes së influencës botërore të Kinës, e cila po pompon miliarda dollarë në vendet në zhvillim. Zyrtarët e administratës së SHBA dëshirojnë të provojnë se vlerat perëndimore do të triumfojnë në botë, duke thënë se nuk është një sfidë kundër Kinës, por për dhënien e një alternative më pozitive për botën.