Akuza reciproke në prag të liderëve të SHBA-së dhe Rusisë
(last modified Tue, 15 Jun 2021 17:39:27 GMT )
Qershor 15, 2021 19:39 Europe/Tirane
  • Akuza reciproke në prag të liderëve të SHBA-së dhe Rusisë

Përpara takimit të tij me Presidentin rus Vladimir Putin në Gjenevë të Zvicrës, Presidenti amerikan i ashpërsoi tonet me homologun rus, si për t`i treguar se përballja e tyre nuk ka për të qenë e lehtë.

Biden i kërkoi shefit të Kremlinit të heqë dorë nga aktet provokuese ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve. Krerët e  NATO-s bashkuan zërat me Shtetet e Bashkuara duke e akuzuar zyrtarisht Moskën dhe Pekinin për veprime dashakeqe. Aleatët gjithashtu dënuan aktivitetin provokues ushtarak të Rusisë dhe manovrat destabilizuese pranë kufijve të vendeve anëtare të NATO-s. “Deri kur Rusia të dëshmojë se po respekton ligjin ndërkombëtar dhe përgjegjësitë e tij, nuk do të ketë kthim në marrëdhënie normale”, thanë ata. “Do t’ia bëj të qartë Presidentit Putin se ka fusha ku mund të bashkëpunojmë, nëse ai është i gatshëm. Nëse ai preferon të mos bashkëpunojë, nëse vepron në të njëjtat forma si më parë lidhur me sulmet kibernetike dhe veprime të tjera, do të përgjigjemi me të njëjtën monedhë,” ka thënë Biden. Sidoqoftë, marrëdhëniet SHBA-Rusi pritet të marrin një tjetër dimension pas samitit të së mërkurës mes presidentëve Joe Biden dhe Vladimir Putin. Takimi në Gjenevë po shihet nga të dyja palët si mundësi për bashkëpunim dhe për të shoshitur akuzat reciproke. Presidenti rus, Vladimir Putin, pranoi të hënën në televizionin amerikan, "NBC", se raportet mes dy shteteve janë në pikët më të ulët. "Më e rëndësishmja në çështjet ndërkombëtare është parashikueshmëria dhe stabiliteti. Besoj se nga ana e partnerëve tanë amerikanë diçka  të tillë ne nuk e shohim prej vitesh." Rusia po shkon në samit me paragjykimin se shihet si një tabelë qitjeje nga Perëndimi, për akuza që lidhen me sulme, veprime agresive dhe ndërhyrje, akuza të cilat Presidenti Putin mendon se mund të aplikohen edhe për vetë Perëndimin. "Jemi akuzuar për gjithçka: për ndërhyrje në zgjedhje, për sulme kibernetike e të tjera, dhe asnjëherë të vetme nuk janë munduar të na japin qoftë një provë të vetme, por thjesht akuza të pabaza", deklaroi Putin. Vladimir Putin, presidenti i Rusisë, ka folur për rënien dhe dekadencën e Amerikës dhe përfundimin e imperializmit ndërsa ka kujtuar se Amerika po ecën në rrugën e ish-Bashkimit Sovjetik. Presidenti i Rusisë ka thënë: “Krerët e perandorive mendojnë se janë fuqi absolute që i lejojnë vetes të bëjnë çfarëdo lloj gabime dhe veprime të paligjshme. Ata mendojnë se me pagimin e parave, mund të marrin persona në shërbim dhe të bëjnë marrëveshje me persona të tjerë kurse t’i frikësojnë personat e tjerë. Mirëpo me qasje të tilla vetëm sa shtohet numri i problemeve derisa më në fund të vjen koha që ata nuk mund të zgjidhin problemet më. Amerika në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me siguri të plotë po bënë hapa në rrugën e ish-Bashkimin e Sovjetik (në rrugën e shkatërrimit)”.