Mbërrijnë në Gjermani afganët që do të strehohen në Shqipëri
Ka mbërritur në Gjermani, në bazën ushtarake amerikane të Ramsteinit grupi i parë i afganëve të larguar nga Afganistani në bordin e një avioni Globemaster C17, raportoi CNN.
Baza amerikane ka një kapacitet prej 5.000 personash por me fluturimet që mbërrijnë çdo 90 minuta, ajo po mbushet shpejt. Ramsteini është kthyer në një qendër të përkohshme tranziti për afganët që do të shpërndahen më pas drejt shteteve të tjera. Një prej vendeve që është ofruar t’i mirëpresë të zhvendosurit, është edhe Shqipëria. Departamenti amerikan i shtetit do të përcaktojë se ku do të shkojnë këta të evakuuar. Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut shprehën që në fillim gatishmërinë të prisnin afganët që i largohen jetesës së rrezikshme e mbytëse nën regjimin taleban. Për strehimin e tyre, autoritetet e të tre vendeve kanë diskutuar me zyrtarët amerikanë. Institucionet theksojnë se afganët që do të mbërrijnë këtu nuk janë aspak të rrezikshëm. Por gazeta britanike “The Sun” shkruante sot se terroristët po përpiqen të infiltrohen në fluturimet e evakuimit nga Afganistani për të organizuar sulme në Europë.