BE i pavendosur për ndihmën për refugjatët afganë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i113636-be_i_pavendosur_për_ndihmën_për_refugjatët_afganë
Se sa shtetas afganë duhet të nxjerrë BE-ja nga Afganistani, dhe se sa duan të largohen nga vendi i tyre, këtë as ministrat e brendshëm të Bashkimit Evropian nuk e dinë. 
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shtator 01, 2021 15:50 Europe/Tirane
  • BE i pavendosur për ndihmën për refugjatët afganë

Se sa shtetas afganë duhet të nxjerrë BE-ja nga Afganistani, dhe se sa duan të largohen nga vendi i tyre, këtë as ministrat e brendshëm të Bashkimit Evropian nuk e dinë. 

Vetëm Gjermania përllogarit deri në 40 mijë vetë, ish-bashkëpunëtorë lokalë me familje, si edhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët kanë si destinacion Gjermaninë. Këtë e bëri të ditur kancelarja gjermane, Angela Merkel, në Berlin, para një bisede me homologun e saj, austriak, Sebastian Kurz. Pjesa dërrmuese e tyre është ende në Afganistan, ku talebanët tani kanë marrë pushtetin. Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, premtoi se do të përpiqet të nxjerrë sa më shumë ish-bashkëpunëtorë të Gjermanisë dhe familjarë të tyre nga Afganistani. Sipas tij, ata nuk do të kenë nevojë të kalojnë procedurën e azilit,  por do të pajisen me leje qëndrimi. E njëjta procedurë do të vlejë edhe për aktivistët për të drejtat e grave, gazetarët dhe gjyqtarët. Kurse sa u përket refugjatëve që nuk janë drejtpërdrejt pjesë e stafit lokal, Bashkimi Evropian ndoshta do të jetë më pak bujar. BE-ja nuk dëshiron të premtojë ende se sa afganë, që kanë nevojë për mbrojtje, mund të sillen në mënyrë të rregullt në Evropë, direkt nga kampet e refugjatëve në Pakistan ose Iran, nëpërmjet një programi të quajtur “Shpërngulje”. Edhe në radhët e BE-së, qasjet dallojnë nga vendi në vend.  Ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer, nuk dëshiron të pranojë më refugjatë nga Afganistani. Mesazhi i tij për afganët: “Qëndroni aty ku jeni. Ju do të ndihmoheni në rajon.” Edhe kancelari austriak, Sebastian Kurz, e ritheksoi këtë në Berlin, para bisedës me homologen gjermane, Angela Merkel. Ministrat e Brendshëm të BE-së i kërkuan Komisionit të BE-së, në Bruksel, të hartojë një plan veprimi që përmban hapa konkrete dhe ndihmë për shtetet fqinje të Afganistanit.