Luftime të reja në Pashnjir të Afganistanit
Në luginën e Panjshirit në Afganistan janë raportuar luftime të reja ndërmjet talebanëve dhe grupeve të armatosura që kundërshtojnë sundimin e tyre.
Lugina Panjshir, në veri të kryeqytetit Kabul, është një nga provincat më të vogla të Afganistanit dhe e vetmja që nuk ka rënë në duart e talebanëve. Që kur talebanët pushtuan Kabulin më 15 gusht, militantët u përballën me rezistencë nga grupet opozitare dhe ish-pjesëtarë të ushtrisë afgane në Luginën Panjshir. Raportet për luftime të reja vijnë derisa talebanët kanë paralajmëruar se së shpejti do të formojnë një qeveri të re. Rezistenca ndaj talebanëve udhëhiqet nga udhëheqësi fisnor lokal, Ahmad Masud. Babai i tij kishte luftuar kundër pushtimit sovjetik më 1980 dhe atij taleban në vitet 1990. Përmes një video mesazhi, zëvëndëspresidenti i Afganistanit, Amrullah Saleh tha se janë regjistruar viktima nga të dyja palët. Ai e pranoi se gjendja është e vështirë, pasi talebanët po mbyllin linjat e telefonit, internetit dhe energjisë elektrike. Saleh po bën përpjekje t’i prijë rezistencës ndaj talebanëve. “Jemi në një situatë të vështirë pasi jemi nën pushtimin e talebanëve”, tha ai, duke shtuar se forcat e tij nuk do të dorëzoheshin. Në fund të muajit gusht, forcat amerikane u tërhoqën nga Afganistani, pas 20 vjetësh prani në këtë vend.