Talebanët pretendojnë se kanë marrë kontrollin mbi “fortesën Panjshir”
https://parstoday.ir/sq/news/world-i113850-talebanët_pretendojnë_se_kanë_marrë_kontrollin_mbi_fortesën_panjshir
Talebanët thonë se ata janë në kontroll të plotë të provincës afgane të Panjshir, rajoni i fundit i territorit i cili ka mbetur jashtë sundimit të tyre.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Shtator 06, 2021 20:14 Europe/Tirane
  • Talebanët pretendojnë se kanë marrë kontrollin mbi “fortesën Panjshir”

Talebanët thonë se ata janë në kontroll të plotë të provincës afgane të Panjshir, rajoni i fundit i territorit i cili ka mbetur jashtë sundimit të tyre.

Sipas mediave lokale, atje ka pasur luftime të ashpra, në zonën në veri të kryeqytetit Kabul, midis talebanëve dhe luftëtarëve të rezistencës. Ndërsa një zëdhënës i talebanëve të hënën shpalli fitoren e grupit Taleban. Por luftëtarët e rezistencës thanë se ata ishin ende të pranishëm në “të gjitha pozicionet strategjike” dhe “vazhdojnë të luftojnë”. “Talebanët nuk e kanë marrë Panjshirin, unë hedh poshtë pretendimet e talebanëve”, citohet të ketë thënë Ali Maisam, zëdhënës i Frontit të Rezistencës Kombëtare të Afganistanit (NRF), për BBC. “Lufta kundër talebanëve dhe partnerëve të tyre do të vazhdojë derisa të mbizotërojë drejtësia dhe liria”, shtoi ai. Të dielën, udhëheqësi i NRF, Ahmad Masud, tha se ai ishte i hapur për të hyrë në bisedimet e paqes, pasi ai u bëri thirrje talebanëve të përfundonin ofensivën e tyre, por se nuk kishte asnjë përgjigje nga talebanët. Udhëheqësi i forcave anti-talebane në Luginën Panjshir, në veri të kryeqytetit Kabul, ka bërë thirrje për një "kryengritje kombëtare" kundër talebanëve. Ahmad Masud bëri thirrjen në një mesazh audio dërguar mediave të hënën, duke thënë se forcat e Frontit Kombëtar të Rezistencës (NRF) janë të pranishme në zonat strategjike të luginës dhe se ata do të vazhdojnë betejën kundër talebanëve dhe partnerëve të tyre. Masud akuzoi talebanët për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe shënjestrimin e grave dhe fëmijëve të Panjshirit, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë veprime kundër asaj që ai e përshkroi si një tragjedi e tmerrshme kundër njerëzimit në Afganistan.