Takimi i grupit BRICS dhe fjalimi i Putinit
https://parstoday.ir/sq/news/world-i113990-takimi_i_grupit_brics_dhe_fjalimi_i_putinit
Presidenti rus Vladimir Putin tha se "eksperimentet" e SHBA me krijimin e të ashtuquajturës "demokraci" në Afganistan nuk rezultuan në asgjë tjetër përveç kaosit, dhe tani bota duhet të "pastrojë rrëmujën".
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Shtator 11, 2021 07:59 Europe/Tirane
  • Takimi i grupit BRICS dhe fjalimi i Putinit

Presidenti rus Vladimir Putin tha se "eksperimentet" e SHBA me krijimin e të ashtuquajturës "demokraci" në Afganistan nuk rezultuan në asgjë tjetër përveç kaosit, dhe tani bota duhet të "pastrojë rrëmujën".

Ai i bëri deklaratat të enjten gjatë ceremonisë së hapjes së samitit të 13-të grupit BRICS (Brazil-Rusi-Indi-Kinë-Afrika e Jugut) që u organizua virtualisht nga India. Situata aktuale kaotike në Afganistan, tha Putin, rrjedh drejtpërdrejt nga "përpjekjet e papërgjegjshme për të imponuar vlera të huaja nga jashtë dhe nga synimi për të ndërtuar të ashtuquajturën demokraci". Kjo u bë pa marrë parasysh as historinë dhe as traditat që kanë ndjekur njerëzit e Afganistanit, tha ai. Të tilla politika të papërgjegjshme të SHBA bëhen në një kohë kur "ne duhet të respektojmë rreptësisht parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare të përfshira në Kartën e OKB-së, duke përfshirë mosndërhyrjen në punët e brendshme dhe respektimin e sovranitetit". Duke iu referuar Shteteve të Bashkuara dhe aleancës ushtarake perëndimore të NATO -s, kreu i shtetit rus i dënoi ata për braktisjen e Afganistanit ashtu siç bënë pasi krijuan rrëmujë në atë vend. "Autorët e këtyre eksperimenteve tani janë tërhequr", duke i lënë "njerëzit në fatin e tyre", tha Putin duke shtuar: "Është ende e paqartë se si kjo do të ndikojë në sigurinë rajonale dhe globale." Presidenti rus, ndërkohë, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të lejojë afganët që të ushtrojnë të drejtën e tyre për vetëvendosje dhe të vendosin për strukturën sunduese që ata preferojnë. Afganët "kanë luftuar për dekada dhe meritojnë të ushtrojnë të drejtën për të përcaktuar se si do të jetë shteti i tyre", tha ai. Shqetësimi kryesor i Rusisë dhe Kinës tani është përhapja e terrorizmit në Afganistan dhe eksporti i tij në vendet e Azisë Qendrore, dhe përfundimisht në dy vendet e BRICS. Në të njëjtën kohë, ekziston shqetësimi se shkalla e kultivimit të opiumit dhe e trafikimit të narkotikëve nga Afganistani, e cila tashmë ishte në rritje gjatë pushtimit të vendit nga SHBA dhe NATO, do të arrijë nivele të pashembullta, duke sjellë kështu efektet e saj negative në vendet fqinje dhe madje edhe në Rusi. Çështja e dytë që theksoi Putini ishte nevoja për të zhvilluar dhe forcuar një sistem shumëpolar në botë. "Është e nevojshme të forcohet sistemi global shumëpolar i përbërë nga qendra të pavarura të rritjes ekonomike dhe të ndikimit politik, në të cilat bën pjesë grupi BRICS," tha ai. Rusia dhe Kina, anëtare të rëndësishme të BRICS që janë edhe rivalë ekonomikë dhe ushtarakë të SHBA, besojnë se zhvillimet ndërkombëtare dhe realitetet e sistemit botëror konfirmojnë kalimin në një sistem shumëpolar, ndërsa Shtetet e Bashkuara këmbëngulin në mbajtjen e një sistemi njëpolar. SHBA për të imponuar dëshirat dhe vlerat e saj në vendet e tjera, si dhe për të dobësuar fuqitë e saj rivale, kërkon të realizojë qëllimet dhe objektivat e saj përmes njëanshmërisë. Çështja e tretë e trajtuar nga Putin ishte nevoja për të forcuar grupin BRICS dhe shpalli gatishmërinë e Rusisë për të punuar ngushtë me anëtarët e tjerë të grupit. Në këtë drejtim, ai theksoi se duke pasur parasysh situatën shumë të trazuar në botë, bashkëpunimi shumë i ngushtë mes vendeve të BRICS është shumë i rëndësishëm. Sipas pikëpamjes së Putinit, kredibiliteti i BRICS po rritet dhe roli i tij në çështjet ndërkombëtare po rritet. I themeluar në vitin 2009, grupi BRICS përfshin më shumë se 41% të popullsisë së botës dhe më shumë se 28% të PBB-së botërore.