Partia e Putinit drejt fitores bindëse të zgjedhjeve parlamentare
Partia në pushtet e Rusisë, Rusia e Bashkuar duket se ka siguruar një fitore komode në zgjedhjet parlamentare treditore, megjithëse ka humbur terren ndaj kundërshtarëve të saj, sipas rezultateve fillestare dhe një sondazhi me votuesit në qendrat e votimit të dielën.
Me gati 13% të votave të numëruara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se Rusia e Bashkuar kishte fituar pak më shumë se 40% të votave. Megjithëse kjo do të ishte një fitore e theksuar, do të përbënte një rezultat më të dobët se herën e fundit që u mbajtën zgjedhjet parlamentare në vitin 2016, kur partia fitoi pak më shumë se 54% të votave. Partia në pushtet ka pësuar një rënie të popullaritetit për shkak të rënies së standardeve të jetesës dhe i është dashur të përballet gjithashtu me një fushatë taktike votimi të organizuar nga aleatët e kritikut të burgosur të Kremlinit, Alexei Navalny. Rezultatet fillestare treguan se Partia Komuniste përfundoi në vendin e dytë me rreth 24% të votave, e ndjekur nga partia nacionaliste LDPR me rreth 9%. Të dyja këto forca zakonisht mbështesin Kremlinin për çështjet kryesore. Fitorja e pritshme e Rusisë së Bashkuar ka të ngjarë të përdoret nga Kremlini si dëshmi e mbështetjes së gjerë për Presidentin Putin, i cili ka qenë në pushtet si president ose kryeministër që nga viti 1999.