Thellohet kriza e karburantit në Britani
Radhë të gjata ku me mijëra njerëz presin të furnizohen me karburant dhe pastaj grushte dhe shkelma.
Këto ishin pamjet e frikshme që erdhën një ditë më parë nga Britania e cila po përballet me krizën e mungesës së shoferëve të kamionëve, duke sjellë një deficit në furnizimin me karburant dhe ushqime. Janë skena si këto që kanë bërë që qeveria britanike të marrë në konsideratë dërgimin e personelit të ushtrisë në një përpjekje për të lehtësuar krizën e karburantit që ka shkaktuar radhë të njëpasnjëshme ose pika karburanti boshe në të gjithë Britaninë gjatë ditëve të fundit. Mungesa e shoferëve të kualifikuar ka goditur zinxhirët e furnizimit në mbarë vendin. Fill pas këtyre ngjarjeve, Qeveria britanike njoftoi se do të japë më shumë se 10.000 viza të përkohshme për shoferët e kamionëve dhe punëtorët që mund të kujdesen për shpendët për të ndihmuar në lehtësimin e çështjeve të zinxhirit të furnizimit në prag të Krishtlindjeve. Sekretari i Transportit Grant Shapps është i prirur ta përshkruajë këtë jo si krizë të përkeqësuar nga Brexit, por si një krizë që po prodhohet nga industria më e transportit, e cila thotë se ata kanë nevojë për mbi 100,000 shoferë për të plotësuar nevojën aktuale. Departamenti i Transportit tha se do të lëshojë viza tre mujore për 5,000 shoferë kamionësh për të siguruar "lehtësim afatshkurtër për industrinë e transportit" dhe 5,500 të tjerë për punëtorët e shpendëve "për të shmangur çdo presion të mundshëm të mëtejshëm në industrinë ushqimore gjatë kësaj periudhe të jashtëzakonshme ". Disa stacione karburanti janë dashur të mbyllen ditët e fundit sepse nuk ka shoferë të mjaftueshëm të kualifikuar për të shpërndarë karburant në të gjithë vendin. Gjithashtu ka pasur raporte për rafte bosh të supermarketeve për shkak të çështjeve të furnizimit. Industria thotë se mungojnë dhjetëra mijëra shoferë kamionësh. Pandemia, një fuqi punëtore e munguar dhe një largim i punëtorëve të huaj pas Brexit, janë përmendur si arsye të krizës. Rregullat e reja të imigracionit të vendosura pas Brexit nënkuptojnë që qytetarët e BE-së nuk mund të punojnë pa viza në Britani. Shoqata e Transportit Rrugor i kishte kërkuar qeverisë në qershor të lehtësonte rregullat e vizave. Edhe nga Industria bujqësore dhe përpunuese e ushqimit në Britani, kanë bërë kërkesa të tilla.