Brexit-i burim i krizave në Britani
(last modified Sun, 03 Oct 2021 18:14:08 GMT )
Tetor 03, 2021 20:14 Europe/Tirane
  • Brexit-i burim i krizave në Britani

Kryeministri britanik Boris Johnson po përballet me një sërë krizash, duke nisur nga ajo e karburanteve që ka bllokuar rrugët e deri tek rritja e çmimeve të energjisë për shkak të furnizimit të tkurrur me gaz.

Ka po kështu shqetësime serioze se Britania do të përballet me mungesa ushqimesh me afrimin e Krishtlindjeve, pjesërisht kjo edhe për shkak të mungesës së punëtorëve sezonalë, ndërsa raftet e supermarketeve që tani janë boshatisur në disa zona, thotë CNN. Qeveria britanike ka thënë të premten se shumë stacione të naftës kanë qenë të zbrazura më 1 tetor, si pasojë e një jave kaotike, meqë banorët kanë qenë në panik dhe janë përleshur nëpër pompa për të mbushur shishet e ujit me karburante. Ministrat britanikë kanë insistuar disa herë gjatë javës se kriza ka kaluar, mirëpo shitësit në më shumë se 2,000 pika të shitjes, kanë thënë se kanë mbetur pa karburante dhe disa prej pikave janë mbyllur. Herën e fundit që Johnson mori pjesë në një kongres të partisë së tij ishte kur shihej si një lider i fuqishëm e konsiderohej heroi me misionin të çonte deri në fund projektin e Brexit-it, i cili e kishte lënë vendin të paralizuar që prej 2016-tës. Që prej atëherë, Johnson fitoi një shumicë parlamentare, imponoi një variant edhe më të ashpër të shkëputjes nga sa ishte menduar, u përball me skandale të shumta për mënyrën e menaxhimit të pandemisë së koronavirusit dhe është kritikuar ashpër edhe nga ish mbështetës që tani e vënë seriozisht në pikëpyetje aftësinë e tij. Shumë janë të bindur se ngërçet e deritanishme mund të ishin shmangur, nëse kryeministri dhe qeveria e tij do t`i kishin parashikuar atëherë kur duhej e do t`i lajmëronin njerëzit në kohë.

 

Tags