Talebanët shkatërrojnë njësinë e ISIS-K
Talibanët në Afganistan njoftuan sot se kanë shkatërruar një njësi të Shtetit Islamik në Kabul, disa orë pas një sulmi me bombë në një xhami ku humbën jetën pesë njerëz, shkruan britanikja Daily Mail.
ISIS-K kishte marrë përgjegjësinë për sulmin ku u vranë pesë civilë në xhaminë Eidgah në periferi të Kabul, gjatë një shërbese përkujtimore për nënën e zëdhënësit taleban Zabihullah Mujahid. Mujahid tha se luftëtarët talebanë nisën misionin e tyre të kërkim-shkatërrimit të dielën në veri të Kabul dhe në mbrëmje kishin masakruar të gjithë anëtarët e njësisë ISIS-K, sipas informacioneve të tyre. “Si rezultat i operacionit deciziv dhe të suksesshëm, qendra e ISIS u shkatërrua tërësisht dhe të gjithë anëtarët u vranë”, tha Mujahid në llogaritë e rrjeteve sociale. Dëshmitarët kishin dëgjuar shpërthime dhe të shtëna armësh si dhe kishin deklaruar për gazetarët se ishte një beteje mes luftëtarëve talebanë dhe militantëve të ISIS-K, e cila zgjati disa orë. ISIS-K ka baza në Afganistan e Pakistan prej vitit 2015. Sulmet ndaj militantëve talebanë nga ISIS janë shtuar që prej ardhjes në pushtet të të parëve në gusht. Më i rëndi ishte ai në hyrjen e aeroportit ndërkombëtar Hamid Karzai në mesin e evakuimeve në gusht ku u vranë 169 afganë deh 13 ushtarakë amerikanë.