Shpallet çmimi Nobel për Kimi
Laureatët e sivjetmë për Çmimin Nobel për Kimi janë dy shkencëtarë – Benjamin List dhe David MacMillan për zhvillimin e organokatalizës asimetrike, ka bërë të ditur sot Komitetit i Çmimit Nobel.
Dy shkencëtarët ndajnë çmimin prestigjioz për zbulimin e një “mjeti gjenial për ndërtimin e molekulave”. “Përdorimi i organokatalizës kontribuoi në kërkimin e produkteve të reja farmaceutike, dhe e bëri kiminë më të gjelbër”, thuhet në kumtesën e Akademisë. Shkencëtarët kanë besuar prej kohësh se ekzistojnë vetëm dy lloje katalizatorësh, metale dhe enzima. Të pavarur nga njëri-tjetri, List dhe MacMillan zhvilluan llojin e tretë – organokatalizën asimetrike, që ndërtohet në molekula të vogla organike.