Erdogan: Turqia është e lodhur nga sulmet terroriste në Siri
https://parstoday.ir/sq/news/world-i115482-erdogan_turqia_është_e_lodhur_nga_sulmet_terroriste_në_siri
Ankaraja më parë ka dislokuar trupa në veri të Sirisë dhe ka kryer operacione bashkë me militantët vendas kundër forcave kurde në rajon.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Tetor 12, 2021 17:19 Europe/Tirane
  • Erdogan: Turqia është e lodhur nga sulmet terroriste në Siri

Ankaraja më parë ka dislokuar trupa në veri të Sirisë dhe ka kryer operacione bashkë me militantët vendas kundër forcave kurde në rajon.

Por dje në fjalën e tij presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha se vendi do të hakmerret ashpër pas vrasjes së dy oficerëve në një përplasje me luftëtarët kurdë. “Durimi jonë ka mbaruar”, tha ai sipas të përditshmes vendase Daily Sabah. “Turqia është e vendosur të eliminojë çdo kërcënim që lind në veri të Sirisë, ose në bashkëpunim me forcat aktive aty ose me mjetet tona”. Qeveria turke ka luftuar kundër militantëve të Partisë Punëtore Kurde (PKK) që prej viteve 1980, që kërkon pavarësi për rajonet etnike kurde, përfshi dhe ato brenda Turqisë. Ankaraja e ka etiketuar atë organizatë terroriste. Dy palët nënshkruan një armëpushim në 2013, i cili u prish dy vjet më vonë me sulme të ndërsjella. Ndërkohë Turqia ka kryer tre operacione madhore kundër militantëve kurdë në veri të Sirisë, dhe në disa raste kundër ushtrisë arabe të Sirisë, shkruan Sputnik. Sulmi që acaroi kreun e shtetit turk ndodhi në Azaz, ku autoblinda e trupave turke u godit me një raketë të komanduar në distancë. Media vendase ankohen se Washingtoni nuk jep sqarime për mbështetjen ndaj YPG-ve. Ato shkruajnë se Erdogani ka bërë disa pohime të qarta lidhur me Brett McGurk, koordinator i Shtëpisë së Bardhë në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, të cilin e quajnë “arkitekti i Irakut të përçarë sot”. Por ndonëse deklaratat mbi McGurk dhe lidhjen e tij të supozuar me YPG mbushin titujt e gazetave në Turqi, Washingtoni e bën veshin shurdh përpara kësaj çështje, vazhdon artikulli. SHBA i mbështeti njësitë paraushtarake kurde në Siri gjatë luftës kundër Shtetit Islamik, në të cilën ato u dëshmuan një factor kyc për fitoren. Por pas fitores mbi ISIS-in, trupat amerikane u tërhoqën duke i lënë kurdët të ekspozuar ndaj pushtimit turk në veri të Sirisë, çka u konsiderua asokohe prej tyre si një “thikë pas shpine”.