BE: Përgatituni për më shumë varfëri energjetike
Miliona njerëz në Evropë tashmë po vuajnë nga varfëria e energjisë prej çmimeve të larta, paralajmëron Komisari i Punës i BE, Nicolas Schmit.
Por Brukseli që me Poloninë u përplas për parimin e përparësisë së ligjit të BE -së mbi legjislacionin kombëtar, tek çështja e energjisë thotë se përgjegjëse për marrjen e masave janë qeveritë kombëtare. Përballë rritjes së ndjeshme të çmimeve të energjisë, komisioneri evropian paralajmëroi për më shumë varfëri energjetike në kontinentin e vjetër. “Komisioni i BE-së mund të ndihmojë vendet e bllokut të kufizojnë ndikimin e çmimeve aktuale të larta të energjisë tek njerëzit, qeverive kombëtare u takon të ndërmarrin veprime”, tha ai. Zv/zëdhënësja e qeverisë gjermane, Martina Fietz, kishte deklaruar më herët se ishte e rëndësishme të veprohet në mënyrë të koordinuar në të gjithë Evropën dhe brenda rregullave ekzistuese për tregun e brendshëm të BE. Çmimet e energjisë dhe opsionet afatshkurtra të veprimit do të luajnë gjithashtu rol në samitin e BE javën e ardhshme. Konfederata Sindikale Evropiane (ETUC) shprehu në shtator frikën se më shumë se 2.7 milionë njerëz në Evropë nuk do të ishin në gjendje të ngrohnin si duhet shtëpitë e tyre, edhe pse ishin në marrëdhënie pune. Komisionerja e energjisë, Kadri Simson prezantoi gjatë javës një të ashtuquajtur paketë mjetesh, të cilat vendet e BE mund t’i përdorin pa shkelur rregullat evropiane të konkurrencës. Ndër të tjera, Komisioni propozoi pagesa direkte, lehtësim tatimor dhe subvencione për bizneset e vogla. Por ajo gjithashtu e kishte fjalën për reforma afatmesme për ta bërë tregun evropian të energjisë më të fuqishëm në plan afatgjatë. Çmimet e energjisë kanë alarmuar udhëheqësit evropianë dhe trazuan tregjet globale në javët e para të tetorit, duke ngritur shqetësimet për një krizë karburanti gjatë stinës së dimrit. Pasiguritë mbi ndikimin që mund të sjellë rritja e çmimeve të energjisë tek inflacioni dhe rritja e normës së interesit, goditën tregjet globale të aksioneve dhe bonot në Evropë. Me konsumatorët që përballen me një rritje të madhe në faturat e karburantit në dimër, çmimet e energjisë kanë kryesuar axhendën politike të Bashkimit Evropian. BE-ja, e cila importon 90% të gazit të saj, vëren se Rusia nuk kishte ndjekur shembullin e furnizuesit tjetër të saj kryesor, Norvegjisë, në rritjen e furnizimeve. Presidenti Vladimir Putin tha të mërkurën se Rusia po shtonte furnizimin me gaz në Evropë dhe ishte e gatshme të stabilizonte tregun. Por zëvendësdrejtori i kompanisë ruse të gazit Gazprom u citua të ketë thënë se po vazhdonte magazinimi i gazit natyror në depozitat nëntokësore në Rusi. Kompania Gazprom gjithashtu tha këtë javë se do t'i jepte përparësi tregut të saj në vend të shitjeve të eksportit, sepse pritet të ketë një dimër të ftohtë dhe me dëborë. Disa parlamentarë evropianë kanë aluduar se Gazprom nuk ka rritur furnizimin me gaz, në përpjekje për të nxitur miratimin e shpejtë për Nord Stream 2, një tubacion i sapondërtuar që do të dërgojë gazin rus në Gjermani. Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane e kundërshtojnë projektin, duke thënë se ai do ta bëjë BE-në edhe më të ndërvarur nga karburanti rus.