Nuk zgjidhen mosmarrëveshjet mes Polonisë dhe BE-së
Pavarësisht përpjekjeve franko-gjermane për ndërmjetësim, mosmarrëveshja juridike me Poloninë mbeti e pazgjidhur në samitin e BE-së.
Kreu i qeverisë polake, Mateusz Morawiecki u mbrojt kundër “shantazhit”, që po bën sipas tij blloku evropian. KE-ja do të mbajë për momentin të bllokuara ndihmat miliardëshe që ishin përcaktuar për Poloninë, si ndihmë për rimëkëmbjen e ekonomisë pas pandemisë. Në samit vende si Belgjika, Holanda e Austria ushtruan presion ndaj qeverisë polake që të tërheqë reformat e kontestuara të drejtësisë. Kancelarja Angela Merkel u shpreh për dialog me Poloninë dhe ashtu si presidenti Macron zhvilloi takime bilaterale me kryeministrin polak. Por kryeministri holandez, Mark Rutte kërkoi që BE “të mbetet e ashpër” kundrejt Varshavës. “Vija e kuqe është tejkaluar”, u shpreh dhe kryeministri belg, Alexander de Croo në lidhje me vendimin e kontestuar të Gjykatës Kushtetuese polake, që i kishte deklaruar pjesë të së drejtës së BE si jo në pajtim me të drejtën polake. Zgjidhje nuk pati në ditën e parë të samitit, por debati është një hap në drejtim të zgjidhjes, deklaruan diplomatë evropianë.