Lira turke zhytet më thellë pasi Erdogan kërkon dëbimin e diplomatëve
Lira turke ka rënë në nivelin më të ulët historik prej 9.85 lira për 1 dollar, pasi Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se kishte urdhëruar dëbimin e ambasadorëve nga Shtetet e Bashkuara dhe nëntë vende të tjera perëndimore, duke rrezikuar një përçarje diplomatike.
Dy ditë më parë, Erdogan pohoi se kishte urdhëruar që ambasadorët e disa vendeve të shpallen “non grata”, pasi kërkuan lirimin nga burgu të filantropit Osman Kavala. Ministria e Jashtme turke nuk e ka zbatuar ende udhëzimin e presidentit, një masë që do të krijonte përçarjen më të thellë me Perëndimin në 19 vitet e Erdoganit në pushtet. Kriza diplomatike përkon me shqetësimet e investitorëve për rënien e lirës turke, në nivele rekord, pas një vendimi javën e kaluar të Bankës Qendrore, për të ulur papritur normat e interesit me 200 për qind, nën presionin e Presidentit për të stimuluar ekonominë. Kemal Kilicdaroglu, udhëheqës i partisë kryesore opozitare CHP, tha se Erdogan “po e çon vendin me shpejtësi drejt greminës”. “Arsyeja për këto lëvizje nuk është mbrojtja e interesave kombëtare, por krijimi i situatave artificiale për të mbuluar shkatërrimin e ekonomisë“, shkruante ai në një postim në Twitter.