Britania dhe Franca në prag përplasjeje
https://parstoday.ir/sq/news/world-i116416-britania_dhe_franca_në_prag_përplasjeje
Franca ka sekuestruar një peshkarexhë angleze, nën akuzën se ka shkelur ujërat e saj territoriale, një incident ky që rikthen tensionet e lindura mes dy vendeve pas Brexit-it për çështjen e peshkimit.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Tetor 29, 2021 16:55 Europe/Tirane
  • Britania dhe Franca në prag përplasjeje

Franca ka sekuestruar një peshkarexhë angleze, nën akuzën se ka shkelur ujërat e saj territoriale, një incident ky që rikthen tensionet e lindura mes dy vendeve pas Brexit-it për çështjen e peshkimit.

Parisi kërcënoi të bllokojë lëvizjen e mallrave nga Britania e Madhe dhe furnizimin energjetik, ndërsa Boris Johnson nga ana e tij shprehet i gatshëm për kundërpërgjigje. Ky episod përbën një përshkallëzim të papritur të situatës mes dy vendeve. Të drejtat e peshkimit i kanë vënë prej muajsh përballë njëra tjetrës qeverinë franceze dhe atë britanike. Pas Brexit-it, peshkatarëve francezë u duhej leje e posaçme për të hyrë në ujërat britanike, por Parisi ankohet se këto leje jepen me pikatore, duke vënë në rrezik industrinë e peshkimit në Francë. Nga këtu erdhi dhe ultimatum: Nëse deri në 2 nëntor nuk do të marrë leje të mjaftueshme, Franca kërcënon t’i mohojë varkave angleze hyrjen në portet e saj dhe ta ngadalësojë ndjeshëm trafikun e mallrave në kanalin e La Manshit, e kjo praktikisht, nënkupton në thelb, një luftë tregtare nga të dy kampet që rrezikon të mos ndalojë këtu, sepse Franca  ka lënë të kuptohet se mund të bllokojë edhe furnizimin me energji të Mbretërisë së Bashkuar. Kjo e fundit merr  95% të energjisë së saj nga Franca përmes tre kabllove të fuqishme nënujore. Mbretëria e Bashkuar nuk do të hezitojë t`i përgjigjet Francës me të njëjtën monedhë, paralajmëroi sekretari britanik i mjedisit, George Eustice në mesin e sherrit mbi të drejtat e peshkimit post-Brexit, i cili u ndez sërish këto ditë. “Kjo është një lojë të cilën mund ta luajmë edhe ne, më mirë mos i hyni”, ishte mesazhi i nënkuptuar i tij. Eustrice u shpreh se gjuha e përdorur nga francezët “i hedh benzinë zjarrit”. Këtë çështje, ai e ka shtruar për diskutim edhe në Komisionin Europian, ndërsa ambasadori francez është thirrur për bisedime. Përplasjet mes dy vendeve vijojnë që pas daljes së britanikëve nga Bashkimi Europian, proces që u krye pa u zgjidhur tërësisht çështja e të drejtave të peshkimit 12 milje nga ujërat britanikë. Komisioneri i BE-së për Tregun e Brendshëm, Tieri Breton, tha të enjten se ai e kupton pozicionin e Francës për licencat e peshkimit pas Brexit, dhe se janë autoritetet britanike që duhet të tregohen të arsyeshme në këtë pikë.