Takimi i parë Biden-Macron pas krizës së nëndetëseve
(last modified Sat, 30 Oct 2021 18:23:52 GMT )
Tetor 30, 2021 20:23 Europe/Tirane
  • Takimi i parë Biden-Macron pas krizës së nëndetëseve

Presidenti amerikan, Joe Biden u takua në Romë me presidentin francez, Emmanuel Macron, takimi i tyre i parë ballë për ballë pas një përplasjeje diplomatike muajin e kaluar, mbi një marrëveshje mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar për t’ia siguruar Australisë nëndetëset me energji bërthamore.

Derisa Biden po qëndronte ulur afër tij, Macron iu drejtua gazetarëve në gjuhën frënge. Macron diskutoi koordinimin në luftën kundër terrorizmit me partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë. “Gjatë javëve të fundit, presidenti Biden mori disa vendime themelore nga të cilat përfitonin ushtritë tona, dhe këto janë shumë, ky është mishërimi i mbështetjes… Më pas ne pranuam disa marrëveshje dypalëshe për eksportet e armatimit, sektorin bërthamor, industrinë hapësinore dhe sigurisht teknologjinë më të avancuar”, tha Macron. “Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për çështjet kryesore ndërkombëtare, ndryshimet klimatike, sektorin dixhital, shëndetësia – të cilat do të jenë në agjendën e G20 dhe ne gjithashtu do të përmirësojmë diskutimet tona mbi kontrollin e armëve, e cila mbetet një çështje kyçe”, tha ai. Edhe Presidenti amerikan, Joe Biden, foli për tensionet SHBA-Francë rreth një marrëveshje të SHBA-së me Australinë për nëndetëse me energji bërthamore, që prishi marrëveshjen paraprake shumë-miliardë dollarëshe me Francën, derisa deklaroi se ajo që bëri SHBA-ja ishte veprim i “ngathët”. “Ajo që bëmë ishte e ngathtë. Nuk u bë me shumë nder”, tha Biden duke iu drejtuar gazetarëve. “Franca është një partner jashtëzakonisht i vlefshëm, dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm”,  u shpreh ai. Biden tha gjithashtu se ai mendonte se “Franca ishte informuar shumë kohë më parë” për marrëveshjen. Presidenti amerikan nuk e ka pranuar publikisht “gabimin” në marrëveshjen e nëndetëseve, por ka shprehur keqardhjen në një telefonatë të mëparshme me Macron për mënyrën se si u trajtua situata. Gjatë kësaj krize, Ministri i Jashtëm i Francës ka akuzuar Australinë dhe SHBA -në se kanë gënjyer për paktin e sigurisë, gjë që bëri që Parisi të tërhiqte ambasadorët e tij. Ministri francez Le Drian gjithashtu akuzoi vendet për ” sjellje me dy standarde, shkelje të madhe të besimit dhe përbuzje”. Presidenti Emmanuel Macron urdhëroi kthimin e ambasadorëve në Canberra dhe Washingtoni në një lëvizje të paparë për të sinjalizuar zemërimin e tij mbi vendimin e Australisë për të prishur një marrëveshje për nëndetëset franceze në favor të anijeve amerikane. Mosmarrëveshja, tani për tani, i ka dhënë fund shpresave për një rilindje, pas Donald Trump, në marrëdhëniet midis Parisit dhe Uashingtonit me Presidentin Joe Biden.

 

Tags