Dronët turq fluturojnë mbi hapësirën ukrainase, bota reagon ashpër
Përdorimi i parë luftarak i një droni turk Bayraktar në Donbas të Ukrainës ka shkaktuar reagime në mbarë botën.
Mediet ruse transmetuan me orë të tëra diskutime mbi një video njëminutëshe të transmetuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës. Përfaqësuesit e Kremlinit dhe Ministrisë së Jashtme ruse dënuan operacionin e ushtrisë ukrainase. Qeveria gjermane shprehu shqetësimin për luftimet dhe “përdorimin e dronëve nga palët”. Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme vuri në dukje se përdorimi i dronëve në zonën e konfliktit “është i rezervuar vetëm për OSBE-në”. Andrij Melnyk, ambasadori ukrainas në Gjermani, u tha disa mediave se vendi i tij kishte një “të drejtë legjitime për vetëmbrojtje”. Kievi nuk dëshiron të provokojë një përgjigje edhe më të keqe nga Rusia dhe të humbasë edhe më shumë territore. Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar një skenar të tillë më shumë se një herë, ndërsa ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi se me këto veprime Kievi synon të tërheqë Rusinë në konfliktin në lindje të Ukrainës. Ukraina ka blerë dronet TB2 nga kompania turke Bayraktar Makina që nga viti 2018. Ato mund të përdoren si në luftime ashtu edhe për zbulime në terren. Kievi e përdor atë për forcat e tij tokësore dhe detare dhe dëshiron të ndërtojë një fabrikë për prodhimin e tyre, si dhe një qendër shërbimi. Në këmbim, një kompani shtetërore ukrainase po furnizon kompaninë turke me motorë për dronë sulmues edhe më të fuqishëm.