Qindra emigrantë futen ilegalisht në Poloni
https://parstoday.ir/sq/news/world-i116996-qindra_emigrantë_futen_ilegalisht_në_poloni
Autoritetet polake u ndeshën sot ( 8 nëntor) me një valë emigrantësh nga Bjellorusia, e cila akuzohet se po i shtyn qëllimisht refugjatët nga Lindja dhe Afrika drejt kufijve të Bashkimit Europian.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Nëntor 08, 2021 19:26 Europe/Tirane
  • Qindra emigrantë futen ilegalisht në Poloni

Autoritetet polake u ndeshën sot ( 8 nëntor) me një valë emigrantësh nga Bjellorusia, e cila akuzohet se po i shtyn qëllimisht refugjatët nga Lindja dhe Afrika drejt kufijve të Bashkimit Europian.

Polonia e ka klasifikuar incident madhor vërshimin e qindra emigrantëve nga Bjellorusia fqinje brenda kufirit të saj. Persona të pajisur me çanta shpine dhe veshje dimri kaluan të hënën përmes pyllit rrugën lidhëse mes dy shteteve, ndërsa një grup i madh grash e burrash u filmuan duke u shoqëruar nga ushtria. "Bjellorusia do që të shkaktojë një incident madhor, dhe sikur preferon që të ketë të shtëna dhe viktima," tha zv.ministri i Jashtëm polak. Prej muajsh, mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme, Azia Jugore dhe Afrika tentojnë të hyjnë ilegalisht në vendet e BE-së, si Polonia, Letonia dhe Lituania, duke e parë Bjellorusinë si trampolinë. Bashkimi Europian ka akuzuar presidentin Aleksandër Lukashenko se po i sjell emigrantët me avion dhe po i drejton në kufijtë europianë në shenjë hakmarrjeje ndaj sanksioneve që Brukseli i ka vënë për shkak të shtypjes më shumë se njëvjeçare të opozitës politike, medieve dhe shoqërisë civile. Ministria polake e Mbrojtjes ka njoftuar se mbi 12 mijë ushtarë po qëndrojnë në gatishmëri në kufi me Bjellorusinë. Autoriteti kufitar i Bjellorusisë tha se  situatën me refugjatët e ka provokuar vetë Polonia me qëndrimet çnjerëzore.