Temperatura e Tokës mund të rritet mbi 2 gradë
(last modified Thu, 11 Nov 2021 18:50:49 GMT )
Nëntor 11, 2021 19:50 Europe/Tirane
  • Temperatura e Tokës mund të rritet mbi 2 gradë

Negociatorët e 200 shteteve kanë nisur të konsultohen për tekstin final të deklaratës pas samitit të klimës, për të rënë dakord si ta mbrojnë planetin nga kriza klimatike që e pret në të ardhmen.

Samitit për klimën që po mbahet në Glasgou të Skocisë i vjen fundi pas gati dy javëve dhe 200 shtete të botës po punojnë tani për deklaratën finale. Teksa pritet e premtja për deklaratën, ditën u publikua drafti përfundimtar nga agjencia e OKB-së për klimën. Marrëveshja e Parisit në 2015-ën pati si objektiv mbajtjen e temperaturës globale nën 2 gradë Celsius krahasuar me periudhën para revolucionit industrial, ndërsa këtë herë shtetet apelohen që të ndalin gradualisht prodhimin e qymyrit dhe gazit, dhe të mos i subvencionojnë. Shkencëtarët parashikojnë që caku i temperaturës së Tokës mund të kalojë pragun 2 gradë Celsius nga vitet 1800 që merren si bazë analize, dhe kjo ka për t'u përjetuar me katastrofa, valë të nxehti, përmbytje, thatësira dhe me rritjen e nivelit të detit në të ardhmen. Për ta limituar ngrohjen globale, të gjitha shteteve u kërkohet të ulin me 45 për qind nivelin e dioksidit të karbonit që lëshohet në atmosferë, dhe që vlera të arrijë afër zeros në gjysmën e shekullit.

 

Tags